2013-08-08 14:06:04

“Motu proprio” e Papës për luftën kundër spastrimit të parave. Ngrihet një Komitet për Sigurinë Financiare


Papa Françesku nënshkroi sot një Motu Proprio për parandalimin dhe luftën kundër riciklimit të parave. Me anë të këtij dokumenti - emri i të cilit shpjegon se është hartuar me iniciativën e vetë Atit të Shenjtë, pa u propozuar nga Kuria Romake – Papa Bergolio ngre në Vatikan një Komitet për Sigurinë Financiare. Vendimi hyn në fuqi më 10 gusht. Ashtu siç shkruan Papa, kjo nismë ka si qëllim “nxitjen e integritetit, qëndrueshmërisë dhe transparencës në sektorët ekonomiko-financiarë” dhe “parandalimin e luftën kundër veprimtarive kriminale”. Gjithashtu, në tekst nënvizohet se në këtë mënyrë vijohen masat e ndërmarra nga Benedikti XVI, me Motu Proprio-n e vitit 2010.
Dokumenti e shtrin zbatimin e ligjeve për parandalimin dhe luftën kundër riciklimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë edhe në të gjitha dikasteret e Kuries Romake, si edhe në organizma e ente të tjera, që varen nga Selia e Shenjtë, apo edhe në organizata pa qëllim fitimi, që kanë personalitet juridik bazuar në Kodin Kanunor Kishtar dhe selinë brenda Shtetit të Vatikanit. Motu Proprio i jep Autoritetit vatikanas për Informacionin Financiar (AIF) funksionin e vigjëlimit e të hartimit të rregullave në këtë fushë. Së fundi, duke iu përgjigjur një rekomandimi të Komitetit “Moneyval” të Këshillit të Evropës, parashikohet një funksion tjetër për këtë Autoritet, i cili duhet të kontrollojë paraparakisht entet, që zhvillojnë veprimtari profesionale financiare.








All the contents on this site are copyrighted ©.