2013-08-08 11:51:00

Kardinali Turkson në Nagasaki: paqja është gjithëpërfshirëse dhe e pandashme


“Gjithëpërfshirëse dhe e pandashme”: janë fjalët e kardinalit Peter Turkson, shqiptuar në Nagasaki, në përkujtimin e viktimave të bombardimit atomik mbi qytetin japonez, më 9 gusht 1945. Nga e hëna e kaluar, kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, është në Japoni, për të marrë pjesë në nismën “Dhjetë ditë për paqen”, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore vendase, në kujtim të të vdekurve në Hiroshima e Nagasaki, por edhe, e sidomos, të atyre që shpëtuan gjallë, duke provuar pasojat e tmerrshme të radioaktivitetit.
Nuk është e mundur që një pjesë e popullsisë të jetojë në paqe, e tjetra të vuajë për shkak të varfërisë, të mungesave, të padrejtësive e të dhunës. Paqja i përfshin të gjithë, është e pandarshme”. I qartë, pohimi i kardinalit Turkson, që foli sot në takimin ndërfetar, ku mori pjesë, së bashku me përfaqësuesit budistë, shintoistë e protestantë, organizuar nga Qendra e Nagasakit për dialogun e paqen botërore.
“Nuk erdha këtu si turist, as si mysafir. Erdha si shtegtar”, tha Hirësia e Tij, duke nënvizuar, më pas, se njeriu bashkëkohas, i pështjelluar e i dëshpëruar, duket sikur e ka harruar se fati i tij, i dëshiruar nga Zoti, është liria e lumturia, larg vuajtjes, etjes për para, urrejtjes. Kardinali pohoi se paqja dhe mbijetesa lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me progresin, me zhvillimin, me dinjitetin e të gjithë njerëzve, siç pati thënë i Lumi Gjon Pali II, kur vizitoi Japoninë, në shkurt të vitit 1981. Më pas, kryetari i dikasterit vatikanas kujtoi edhe 50-vjetorin e Enciklikës “Pacem in Terris”, nënshkruar nga Gjoni XXIII, në vitin 1963, në të cilën nënvizohet se “paqja duhet ngritur mbi themele të shëndosha”. Edhe papët, që erdhën më pas, pohoi kardinali Turkson, theksuan me forcë se paqja ka karakter gjithëpërfshirës e të pandashëm e se asnjë pjesë e shoqërisë nuk duhet injoruar, nuk duhet shtypur, nuk duhet përjashtuar. Nxitje kjo, theksoi Hirësia e Tij, që u përsërit edhe nga Papa Françesku, gjatë vizitës në Bashkësinë e Varginha, në Rio-de-Zhanéjro, më 25 korrikun e kaluar. Me këtë rast, Papa tha: “Të mos lejojmë që në zemrën tonë të hyjë kultura e përjashtimit, sepse jemi vëllezër! Askush nuk është i pavlerë, asnjeri nuk duhet hedhur poshtë!”.
Duke ripohuar se në proceset e paqësimit duhen përfshirë edhe periferitë, kardinali Turkson u lut për viktimat e bombardimeve atomike. Në vijim, i ftoi të gjitha traditat e mëdha fetare dhe shpirtërore të Azisë, të punojnë së bashku për paqen.
Kardinali Turkson, në Japoni qysh më 5 gusht, ditët e kaluara kujtoi viktimat e bombës atomike, që shembi Hiroshimën.
Ndërsa nesër, në Nagasaki, gjatë një kremtimi përkujtimor ndërfetar, organizuar në Ground-Zero Park të qytetit, kryetari i dikasterit vatikanas për Drejtësinë e Paqen, do të kryesojë një lutje për të gjitha viktimat, duke kujtuar posaçërisht ata, që nuk vdiqën, por vijojnë të vuajnë për shkak të pasojave të radioaktivitetit.
Së fundi, më 9 gusht, gjithnjë në Nagasaki, Hirësia e Tij do të kryesojë Meshën Shenjte për paqen në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.