2013-08-08 14:06:32

Fushata “Mas por Menos”. Papa Françesku: të impenjohemi me të gjitha forcat për më të varfërit


Papa Françesku përshëndet me përzemërsi katolikët argjentinas, që do të marrin pjesë në mbledhjen e fondeve “Mas por Menos”, organizuar çdo vit nga ipeshkvijtë e vendit për të financuar projektet për më të varfërit. Kësaj radhe, ajo do të zhvillohet më 8 shtator, me moton “Besojmë në ndihmën tuaj”. Në një mesazh, me firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, Ati i Shenjtë inkurajon sot të gjithë ata, që përpiqen t’i përgjigjen impenjimit të krishterë për solidaritet, frymëzuar nga feja në Zotin, i cili ka dhuruar gjithçka për ne. Papa i fton të gjithë argjentinasit “të identifikohen gjithnjë e më shumë me Krishtin, duke e lidhur më ngushtë miqësinë me Të përmes lutjes e kremtimit të Sakramenteve, për të gjetur kështu forcat, me të cilat të japin – pa u ndalur – një shërbim të çmuar në mbështetje të njerëzve nevojtarë, në veçanti, të më të varfërve”. Vitin e kaluar, me rastin e kësaj nisme, u mblodhën gati 2,9 milion dollarë, të cilat u vunë në dispozicion të dioqezave më të varfëra të Argjentinës.








All the contents on this site are copyrighted ©.