2013-08-08 14:26:53

Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Bajramit të Madh e falenderojnë Papën për mesazhin e tij


Myslimanët sunitë në të gjithë botën kremtuan sot fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, festën e Fitr Bajramit, apo të Bajramit të Madh. Në Shqipëri, në të gjitha qytetet, besimtarët u mblodhën në sheshet kryesore për ceremoninë e kremtimit. Mesazhe urimi erdhën nga autoritetet politike, por edhe nga krerët e feve të tjera, ndër të cilët, ata të Kishës Katolike.
Edhe Papa Françesku, para disa ditësh, bëri të njohur mesazhin e tij të urimit për këtë festë, i cili, për herë të parë, nënshkruhet personalisht nga Ati i Shenjtë. Gjesti i Papës u vlerësua lart nga të gjitha institucionet islamike, që me mënyra të ndryshme, shprehën kënaqësinë për temën e mesazhit, në të cilin kërkohet “respekti i ndërsjelltë”, për t’u arritur përmes edukimit, sidomos edukimit të brezave të rinj.
Ndër të tjerë, Bashkimi i Komuniteteve dhe Organizatave Islamike në Itali shkruan, duke iu përgjigjur Papës Bergolio, se mesazhi i tij përkon mrekullisht mirë me fjalët e Kuranit. Sipas ekzegjetëve islamikë, qendra e përsosur e Librit të Shenjtë për Islamin, është një shprehje “wa lyatalattaf”, që do të thotë “me dashamirësi”. E kjo, nënvizojnë myslimanët italianë, është e njëjta dashamirësi, me të cilën Papa Françesku propozon edukimin e respektit, duke pasur parasysh se shpesh, një buzëqeshje vlen më shumë se njëmijë fjalë.







All the contents on this site are copyrighted ©.