2013-08-07 15:40:20

Festa e Shën Caietanos, shqip Gajtani, në Buenos Ájres


Buenos Ájres kremtoi sot festën e Shën Gajtanit të Tienës, i njohur nga argjetinasit me emrin Shën Cayetano, figurë shumë e dashur për njerëzit e varfër, banorë të shtëpive të mjerimit. Çdo vit, më 7 gusht, shtegtarë të shumtë nisen drejt Shenjtërores së Shën Gajtanit, në rrethinat e kryeqytetit argjentinas. Është një ngjarje, në të cilën kardinali Bergolio mori pjesë gjithnjë, e me gëzim të madh. Sivjet po e kremton nga ana tjetër e botës, me të njëjtin gëzim e të njëjtin devocion.
Por, pse e kremtojnë kaq shumë argjentinasit këtë festë? E pse Papa Françesku nuk mungoi kurrë në të kremten e Shenjtit? Përgjigjet Xhani Valente, gazetar i agjencisë Fides, mik i vjetër i Horhe Mario Bergolios:

Përgjigje: - Shën Gajtani i Tienës, Shenjt italian, viçentin, u bë Pajtor i ‘bukës e i punës”. E shenjtërorja e tij, më e dashura për njerëzit e punës. Kujtoj se në vitet e krizës, 2001-2002, pati një shpërthim të vërtetë devocioni për këtë Shenjt. Shtegtonin drejt Tij jo vetëm punëtorët, por edhe afaristët, që gjunjëzoheshin para Shenjtit, duke kërkuar hirin e kapërcimit të vështirësive për fabrikat dhe ndërmarrjet në krizë.
E pastaj, ajo që ngjet në shenjtërore, është pak a shumë një lloj kaleidoskopi për të matur ndjeshmërinë shoqërore, pikërisht atë, që sot vijon ta nënvizojë Bergolio Papë. Në shenjtërore rrëfyestoret presin e përcjellin besimtarë 12 orë në ditë, e jo vetëm. Pranë tyre janë mensat, që presin e përcjellin të uritur, pikat e mbledhjes së ilaçeve e të veshmbathjeve e edhe të shpërndarjes së tyre. Në këtë vend, njeriu hyn i ngarkuar me mëkate, e del me shpirt të pastër; hyn i uritur e del me bark plot, hyn pa tesha në shtat, e del i veshur. Me këtë gjuhë flet Ungjilli në Shenjtëroren e Shenjtit të të mjerëve, që e prekin me dorë mrekullinë e përditshme të këtij vendi shenjt. Madje është organizuar edhe një ‘bankë’ me emrat e atyre, që kërkojnë punë, për të bërë kështu, një zyrë të vogël pune.

Pyetje: - Ndonjë vit më parë, ju ishin në Buenos Ájres pikërisht më 7 gusht, në Festën e Shën Gajtanit, së bashku me kardinalin Bergolio: ç’mund të na tregoni për këtë ditë, përkrah Kardinalit, mes njerëzve të tij?

Përgjigje: - Ishte viti 2008, kur e pata shoqëruar në këtë festë, bashkë me tim bir. Për mua ishte një përvojë e paharrueshme. Festa e Shenjtit ishte nga ato, në të cilat kardinali Bergolio nuk mungonte për asnjë arsye. Çaste tejet të gëzueshme. Kardinali kryesonte Meshën. Kremtim emocionues, i shoqëruar me një homeli të shkurtër, por që të mbetej gjatë në mendje. E pastaj, pas Meshe, duhej përshkuar në drejtim të kundërt turma e pafundme, që vërshonte si përrua i rrëmbyer drejt Shenjtërores. Qindra-mijëra besimtarë shkonin të luteshin para shtatores së vogël të Shenjtit për ndjetet e tyre. Duke ecur kundër rrymës, kardinali Bergolio ndalohej vazhdimisht, u fliste njerëzve, kishte një fjalë të mirë për secilin, qeshte me fëmijët, bekonte rruzare, shtatore e deri barqet e grave shtatzëna.... Kur takonte ndonjë grua me fëmijë të vegjël, e këtë e kujtoj mirë, sepse më preku, e pyeste gjithnjë a i kishte pagëzuar të vegjëlit. E nëse nuk ishin pagëzuar akoma, i ftonte prindërit t’ua jepnin sa më shpejt Sakramentin e parë të krishterë, sepse, thoshte: “Do t’u bëjë mirë, do t’i ndihmojë të rriten mirë!”. Në një farë mënyre tani, një sjellje të tillë po e sodit mbarë bota. Njerëzimi shikon në Françeskun, bariun, që transmeton në mënyrë gati fizike, gëzimin e të ungjillëzuarit, gëzimin që ndjen, kur ungjillëzon.







All the contents on this site are copyrighted ©.