2013-08-07 13:54:19

Cikël reflektimesh kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike: Zbulesa e zbulesat vetjake


Zbulesa e zbulesat vetjake është tema e reflektimit të 6-të të jezuitit atë Dariush Kovalçik, kushtuar Katekizmit të ri të Kishës Katolike.

Zbulesa e Hyjit u përmbush në Jezu Krishtin. Besa e Re, e lidhur në Jezusin, është përfundimtare e nuk duhet pritur asnjë Zbulesë publike, para dukjes së lumnueshme të Zotit (KKK, 66) – thotë Katekizmi, duke cituar fjalët e Shën Gjonit të Kryqit: “Kush do të dëshironte akoma ta pyeste Zotin e të kërkonte vegime a zbulesa prej Tij, do ta fyente Hyjin”.
Kisha na thotë se Zbulesa përfundoi me vdekjen e apostullit të fundit. Nga ana tjetër shikojmë se ka dogma feje (për shembull dogma e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell), të cilat në fillim të predikimit të Ungjillit, nuk ishin si na paraqiten sot. Katekizmi shpjegon: “Ndonëse Zbulesa u krye, nuk sqarohet plotësisht (n.66). Në Vetjen e në historinë e Jezusit na është zbuluar gjithçka, por i takon Kishës, prirë nga Shpirti Shenjt, e vërteta në tërësi (cfr. G 16,13); i takon, pra, ta kuptojë gradualisht gjithë pasurinë e saj në rrjedhë shekujsh (KKK, 66).

Në një perspektivë të tillë mund t’i kuptojmë edhe të ashtuquajturat zbulesa vetjake a private, disa nga të cilat, të njohura edhe nga Kisha, si ato të Lurdës e të Fatimës. Roli i tyre, siç lexojmë në Katekizëm – nuk është të ‘përmirësojë’ ose të ‘përplotësojë’ zbulesën përfundimtare të Krishtit, por të ndihmojë për ta jetuar më plotësisht në një epokë të caktuar historike”(n. 67). Prej këndej mund të themi se zbulesa vetjake nuk është e detyrueshme për fenë e besimtarëve.

Ndodh që besimtarët, duke ndjekur zbulesa të ndryshme vetjake, bëhen tepër entuziastë. Duhet kujtuar se këto zbulesa mund të ndihmojnë, por duke pasur mirë parasysh se Zotin e njohim kryesisht përmes Biblës, Traditës, Mësimeve të Kishës. Në Vitin e Fesë jemi të thirrur, prandaj, ta lexojmë Katekizmin e të mos rrimë duke pritur zbulesa të reja. Ta shfletojmë, pra...








All the contents on this site are copyrighted ©.