2013-08-06 16:00:44

Kardinali Sandri: në lutje për atë Dal’Olion dhe për ipeshkvijtë e rrëmbyer në Siri


Ndërsa jezuitët e Lindjes së Mesme shprehin shqetësimin e tyre të thellë për atë Paolo Dal’Olion, jezuitin romak të zhdukur para një jave në veri të Sirisë, ndoshta i rrëmbyer nga grupe xhihadiste, edhe kardinali Leonardo Sandri, prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, në një komunikatë, tregon afërsinë e tij me Shoqërinë e Jezusit e kërkon lutje. Kujton mungesën e plotë të informacionit jo vetëm për atë Dal’Olion, por edhe për dy ipeshkvijtë e dy meshtarët e rrëmbyer muaj më parë dhe përmend gjendjen e ngjashme, në të cilën ndodhen edhe shumë të tjerë, të huaj e sirianë. Kardinali Sandri u kërkon besimtarëve t’i luten Zotit për fatin e këtyre njerëzve dhe për fundin e luftës në Siri.
Ndërkaq, në komunikatën e jezuitëve vihet re se edhe njerëzit e strehuar në rezidencën e urdhërit në Homs janë në rrezik. Sipas UNICEF-it, në këtë qytet, kanë mbetur të bllokuar 400 mijë civilë për shkak të ofensivës së re të ushtrisë qeveritare kundër milicive rebele. Eprori provincial i jezuitëve në Lindjen e Mesme, atë Viktor Asuad kërkon të mos kursehen përpjekjet për t’u mbrojtur atyre jetën. “Jezuitët – siguron ai – impenjohen ta vazhdojnë veprën e tyre humanitare për të gjithë, si edhe punën për arritjen e paqes e të pajtimit në Siri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.