2013-08-06 15:59:04

Iran: nis epoka Rohani; prova dialogu me Perëndimin


Presidenti i sapozgjedhur iranian, Hasan Rohani, gjatë betimit në fillim të mandatit, pohoi se Teherani është i gatshëm të dialogojë me Perëndimin dhe të japë prova transparence lidhur me programin bërthamor, por vërejti edhe se, në këtë dialog, duhet përdorur gjuha e ‘respektit’ reciprok e jo ajo e masave ndëshkimore dhe e kërcënimeve për luftë. Sinjal tejet i rëndësishëm, që flet për hapjen e mundshme të një vendi, i cili vijon të jetë strategjik jo vetëm për fushën e shahut mesdhetar. Në mikrofonin tonë, Rikardo Redaeli, pedagog i historisë dhe institucioneve të botës Islamike pranë Universitetit Katolik të Milanos:

Përgjigje: - Nuk është Presidenti i Republikës, ai që vendos për çështjen bërthamore, ndonëse Rohani ka përvojë të madhe, me që i ka drejtuar prej vitesh këto bisedime. Sidoqoftë, është një ofertë, që tregon edhe dobësinë, kuptimin e vështirësive, shkaktuar nga masat ndëshkimore, që bëhen gjithnjë më të forta në Iran.

Pyetje: - A mund të flasim, atëhere, për hapjen e një kapitulli të ri në historinë iraniane? Mund të konsiderohet vërtet e perënduar epoka Ahmadinexhad?

Përgjigje: - Trashëgimia shkatrrimtare e Ahmadinexhadit besoj se, për fat të keq, do të vijojë akoma edhe për ndonjë vit, ndonëse shumë ultraradikalë janë mënjanuar. Por kjo ka bërë që vendi të jetë më i ligështuar, më i pushtuar nga mosbesimi, më pak i lirë, në krahasim me tetë vjet më parë, e Rohani është i kufizuar ndjeshëm; shihet qartë edhe nga maturia e madhe, me të cilën po e përballon situatën, për të mos shkaktuar reagime të papritura të grupeve pranë Pasdaranit ose reformistëve të tjerë.

Pyetje: - Ka edhe elemente kritike, si për shembull, lidhja e aleancës me regjimin sirian që, pavarësisht nga tronditjet e jashtëzakonshme, vijon të mbahet në këmbë...

Përgjigje: - Siria është e domosdoshme për Iranin në aspektin gjeo-strategjik, e Irani po e mbështet deri në fund të fundit. Në dobi të Iranit e edhe të Asadit është shndërrimi i tmerrshëm i opozitës siriane, gjithnjë më shumë e sunduar nga grupet xhihadiste e kaediste e gjithnjë më pak e udhëhequr nga sunitët e moderuar. Ky dredhim rrënjësor i rrugës së nisur, nga njëra anë e forcon Iranin, duke e ndihmuar ta mbështesë deri në fund Bashar Al Asadin, e nga ana tjetër, ia lehtëson këtë detyrë.

Pyetje: - Rohani zgjodhi si ministër të jashtëm Xhavad Zarifin, që vlerësohet nga diplomacitë perëndimore, sepse ka qenë gjithnjë në vijën e parë të përpjekjeve për dialog me SHBA-së. Sa mund të ndihmojë kjo figurë, për kapërcimin e izolimit, në të cilin jeton sot për sot Republika islamike?

Përgjigje: - Zarifi është shumë i njohur në Iran. Bën pjesë në grupin e iranianëve, që quhen “ata të Nju Jorkut”; është njeri jashtëzakonisht i arsyeshëm, i moderuar, që di ta bëjë shumë mirë punën e vet... por, varet nga shtigjet, që do t’i hapen për të manovruar. Gjithsesi ky, pa asnjë dyshim, është sinjal pozitiv, e ndoshta-ndoshta edhe lideri Khamenei po e kupton se kundërvënia e plotë me Perëndimin paguhet shtrenjtë e se Irani duhet të kërkojë rrugën e kompromisit.

Pyetje: - Shtëpia e Bardhë e përshëndeti fillimin e presidencës së Rohani, duke e parë me sy të mirë; ndërsa kryeministri i Izraelit Netanijahu ripohoi gjykimin e tij negativ. Sipas jush, a mund të jetë ky një element tensioni ndërmjet Uashingtonit e shtetit hebraik?

Përgjigje: - Ndoshta ndërmjet Shtëpisë së Bardhë e Izraelit, sepse Kongresi i SHBA-së është, mbase, edhe më ekstremist se Netanijahu; është edhe më i ashpër, më rrënjësor e më i tërbuar kundër Iranit; Netanijahu, e njohim, e ka bërë Iranin një nga arkitrarët e retorikës së vet. Por e gjithë kjo, për fat të keq, nuk i ndihmon bisedimet ndërkombëtare.









All the contents on this site are copyrighted ©.