2013-08-06 15:45:51

35-vjetori i vdekjes së Papës Pali VI, dëshmitar i ndritur i shërbimit për Kishën


U përkujtua sot 35-vjetori i vdekjes së Papës Pali VI, i cili u nda nga kjo jetë më 6 gusht 1978. Në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ipeshkvi i Bergamos, imzot Françesko Beski kremtoi sot pasdite meshën e dritës. Nxitja Apostolike “Evangelii Nuntiandi”, shkruar prej Palit VI, konsiderohet nga Papa Françesku, i cili e përmend vazhdimisht, një nga dokumentet më të rëndësishme të dhjetëvjeçarëve të fundit. Të dëgjojmë drejtorin e Institutit Pali VI në Bresha të Italisë, don Anxhelo Mafeis:RealAudioMP3
Na ka lënë – besoj – së pari një dëshmi të ndritur për mënyrën si i shërbehet Kishës në etapat e ndryshme të veprimtarisë së tij, fillimisht si asistent i studentëve universitarë të Fuci-t (Federata Universitare Katolike Italiane), pastaj në vendin e punës, në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, pastaj si bari i Kishës: së pari si kryeipeshkëv i Milanos e më pas, si Papë. U zgjodh ndërsa ishte hapur Koncili II i Vatikanit, të cilin ai e përfundoi. E vitet pas 1965-ës, pas mbylljes së Koncilit, u karakterizuan nga realizimi i direktivave, që kishte dhënë për jetën e Kishës. Mjafton të mendojmë për reformën liturgjike, për ndryshimet që Pali VI arriti të bëjë në institucionet kishtare.
A mund të përqendroheni më shumë mbi këtë aspekt të Koncilit II të Vatikanit?
Mendoj se shihen tashmë bazat e këtij impenjimi për zbatimin e Koncilit II të Vatikanit, në mënyrën si e drejtoi Papa Pali VI, duke respektuar absolutisht lirinë e ipeshkvijve për t’u shprehur e për të gjetur gjuhën e përbashkët mbi linjat, që duhej t’i këshillonin Kishës. Pali VI ishte mëse i vetëdijshëm për rolin e tij si Pasardhës i Shën Pjetrit e ndërhyri edhe në debatin konciliar, sidomos për ta udhëhequr asamblenë e ipeshkvijve drejt konsensusit për disa vendime themelore. Mendoj se ky është toni mbizotërues edhe në vitet pas Koncilit: duhej besnikëri ndaj frymës dhe direktivave të Koncilit II të Vatikanit e, njëkohësisht, duhej udhëhequr barka e Shën Pjetrit në gjendjen e vështirë të krijuar më pas. Pali VI e shihte misionin e tij si detyrë për të përballuar probleme të reja të shoqërisë, pa u kufizuar në miratimin e opinionit të shumicës, por duke e shqyrtuar atë më thellë, në dritën e këndvështrimit të krishterë mbi njeriun e mbi vlerat, që duhen mishëruar edhe në veprimtarinë konkrete.








All the contents on this site are copyrighted ©.