2013-08-05 16:04:30

Kushtimi i Shën Marisë së Madhe: Zoja na ndihmon të synojmë gjithnjë më lart


Ditën e kushtimit, një ujëvarë petalesh, që zbret ngadalë nga tavani i Bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe, rikrijon mrekullinë, pas së cilës, në gjysmën e shekullit IV, nisi ndërtimi i tempullit më të lashtë marian në Perëndim. Kishë shumë e dashur për papët, e edhe për Papën Françesku.

“Do të më ndërtosh një Kishë, atje ku nesër do të gjesh dëborë të freskët”. Mrekullia, pas së cilës, sipas traditës, nisi ndërtimi i Shën Marisë së Madhe, nisi natën para kësaj ngjarjeje të pashembullt. Të mendosh për flokë dëbore, në Romën e përvëluar, në shekuj, nga vapa e gushtit, sot do të dukej lojë e natyrës, për t’u tallur me njerëzit. E jo ndryshe duhet të ketë qenë edhe në Romën e Perandorisë së vonë. Por pikërisht këtë ‘lojë’ Zoja e Bekuar ua kujtoi njëkohësisht në ëndërr, natën e 4 gushtit të vitit 358, Papës Liberi e një farë Gjoni, patric i Romës: të ndërtonin një kishë, pikërisht në atë vend, që të nesërmën do ta gjenin të mbuluar me dëborë të freskët.
Në ag të 5 gushtit Gjoni vrapoi tek Papa Liberi për t’i treguar vegimin e çuditshëm mbrëmësor. E vetëm pak çaste pas këtij rrëfimi, lajmi i mrekullisë: kodra e Eskuilinit ishte zbardhur nga dëbora e gushtit. Tradita rrëfen se pikërisht mbi këtë dëborë Papa skicoi perimetrin e Kishës, ndërtimin e së cilës e financoi Gjoni i pasur. Ndërtesa, që sot admirohet nga mbarë bota, u ngrit nga Siksti III, në vitin 431, mbi themelet e bazilikës së dëborës, për të skalitur, kështu, në gur, çka ishte shkruar mbi kartë nga Koncili i Efezit, domethënë se Virgjëra Mari është Nëna e Zotit. Për shekuj, pastaj, bazilika, e treta që quhet papnore, u zgjerua e u zbukurua nga arti i mjeshtrave të penelit e të skalitjes. Duke nisur nga Papa Liberi, s’ka pasur papë, që nuk la një shenjë devocioni në këtë tempull. E natyrisht, nga ky devocion nuk përjashtohet as Papa Françesku, që shkeli këtu ditën e dytë të papnisë së tij, e përsëri menjëherë pas kthimit nga DBR-ja e Rios, pa harruar vizitën e 4 majit, kur tha këtu Rruzaren, shoqëruar me një reflektim për kuptimin e amësisë:
“Nëna i ndihmon fëmijët të rriten e dëshiron të rriten mirë; prandaj i edukon të mos jenë përtacë, pasojë edhe e mirëqenies, të mos mësohen me jetë të rehatshme e të mos kënaqen vetëm me sendet. Nëna ka kujdes që fëmijët të rriten gjithnjë më shumë, të rriten të fortë, të aftë për të marrë mbi vete përgjegjësi, për t’u impenjuar në jetë, për të synuar ideale të larta. Këtë bën edhe Zoja, na ndihmon të rritemi si njerëz e si besimtarë, të jemi të fortë e të mos i nënshtrohemi tundimit për të qenë njerëz e të krishterë të cekët, por për të jetuar me përgjegjësi, për të synuar gjithnjë më lart” (Rruzarja në Shën Marinë e Madhe, 4 maj 2013).
Në kapelën e famshme Paoline, në këtë Bazilikë, ndodhet një ikonë e mrekullueshme, tepër e dashur për Qytetin e amshuar, Shpëtimtarja e Popujve Romakë, që edhe Papa Françesku e nderon fort: “Shpëtimtarja e popujve romakë është Nëna, që na jep shëndet në rritje; na jep shëndet, në përballimin dhe kapërcimin e problemeve; na jep shëndet, për të qenë të lirë në vendimet përfundimtare; është Nëna, që na mëson të jemi plot fryte, t’ia hapim portat jetës e së mirës, të mos e humbasim kurrë shpresën, t’u japim jetë të tjerëve, jetë fizike e shpirtërore” (Rruzarja në Shën Marinë e Madhe, 4 maj 2013).







All the contents on this site are copyrighted ©.