2013-08-03 10:57:29

Papa Françesku: një jezuit e ka Krishtin në qendër të jetës


Njerëz me rrënjë në Kishën Katolike, që lëshohen në duart e Krishtit, duke ia dhuruar vetveten, të aftë për ndjenja fisnike si turpi, në përkim me zemrën e Jezusit: këta janë jezuitët sipas Papës Françesku, i cili të mërkurën me 31 korrik kremtoi me ta meshën në Romë, në festën e shën Injacit të Lojolës, themeluesit të Shoqërisë së Jezusit. Me të, në elter, edhe eprori i përgjithshëm, atë Adolfo Nikolas e prelatë të tjerë.
Qe pa dyshim një 31 korrik i jashtëzakonshëm, ai që kaluan jezuitët e Romës, në Kishën e Jezusit, në meshën me Papën e parë jezuit të historisë. Ati i Shenjtë ndenji me ta dy orë, nga ora 8 deri në orën 10, kremtoi meshën e bisedoi me eprorin e përgjithshëm e me disa prej sivëllezërve. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë përvijoi figurën e jezuitit në kohën e sotme. Jezuiti, tha Papa Françesku, vendos Krishtin në qendër të zemrës së vet e kjo përkon me qëndrimin e Kishës:
“Të jemi njerëz me rrënjë e themel në Kishë: kështu na do Jezusi. Nuk mund të ketë udhë paralele, ose të izoluara. Po, kemi udhë krijuese, kërkojmë, kjo është e rëndësishme: të shkojmë drejt periferive. Për këtë duhet vështrim krijues, por gjithnjë në bashkim me Kishën”.
Karakteristika e dytë e jezuitit, sipas Papës Françesku, është se ai e kërkon Jezusin, duke e ditur se Ai e ka kërkuar më parë:
“Të pushtohemi nga Krishti për t’i ofruar këtij Mbreti vetveten e lodhjen tonë; t’i themi Zotit se duam të bëjmë gjithçka në shërbim e në lavd të Hyjit; ta imitojmë duke duruar fyerjet, përçmimin, varfërinë. Të pushtohemi nga Krishti do të thotë të kemi gjithnjë parasysh qëllimin e Tij të fundit e ta pyesim veten me sinqeritet: Ç’kam bërë për Krishtin? Ç’bëj e ç’duhet të bëj për Jezusin?”
Tiparin e tretë të jezuitëve, Papa e quajti “turpi i jezuitit”, turpi se nuk është në lartësinë e detyrës, turpi se ndjehet injorant para urtisë së Krishtit, se ndjehet i dobët përballë gjithëpushtetit të Zotit, se ndjehet krejtësisht i padenjë para drejtësisë së Hyjit:
“T’i lypim Zotit hirin e turpit; turp që vjen nga biseda e vazhdueshme me Të; trup, që na bën të skuqemi para Jezu Krishtit; turp që na bën të hyjmë në valët e zemrës së Krishtit…; turp, që i jep harmoni zemrës në vaj e na shoqëron në gjurmët e Zotit. E kjo na çon, secilin prej nesh e krejt Shoqërinë e Jezusit, drejt përvuajtërisë. Bëhemi kështu të ndërgjegjshëm se nuk jemi ne, që e ndërtojmë Mbretërinë e Zotit, por është hiri i Tënzot që vepron në ne, nxitemi t’i vemë idetë tona në shërbim të Krishtit e të Kishës, ashtu si enët prej balte, të brishta, të papërshtatshme, të pamjaftueshme, në të cilat ka një thesar pa fund, që mbartim e komunikojmë”.
E duke u paraqitur si shembull jezuitëve të pranishëm figurën e shën Françesk Saverit e atë të eprorit të dikurshëm, atë Pedro Arrupe, i këshilloi të luten, që jeta e tyre të mbyllet ashtu si e këtyre dy kolosovë të Shoqërisë së Jezusit. Në përfundim të meshës, Papa Françesku shkoi për t’u lutur në elterin e Shën Injacit e të shën Françesk Saverit, në Kapelën e Zojës së Udhës, si edhe në varrin e atë Arrupes.







All the contents on this site are copyrighted ©.