Me 4 gusht kalendari kishtar përkujton shën Gjon Maria Vianej
Gjon Maria Vianej lindi në Dardilì, pranë Lionit në Francë, më 8 maj 1786 në
një familje fshatare.Ishte pa ndonjë formim fillestar dhe donëse i mungonte kultura
e nevojshme, në gusht të vitit 1815 ia doli mbanesh të shugurohej meshtar, vetëm pse
mbahej nga të gjithë si model i dashurisë së krishterë. Si u emërua famullitar në
Ars-an-Dombë, iu kushtua plotësisht ungjillëzimit të vendit, kryesisht duke u bërë
shembull mirësie e dashurie, ndonëse i torturuar nga mendimi se ishte i denjë për
detyrën e tij, ndjehej krejt i papërgatitur për një mision kaq me përgjegjësi. Dhjetë
vjet pas arritjes së Gjon Maria Vianejt, Arsi ishte përplot me besimtarë e ai, që
në fillim e kishte të ndaluar të rrëfente, u bë njëri nga rrëfyesit më të ndritur
në historinë së Kishës. Dëshmoi, kështu, se jo gjithnjë filozofia e teologjia janë
të nevojshme për t’i afruar shpirtrat tek Zoti e për t’i udhëhequr ndërgjegjet drejt
dritës së Krishtit. Po, le të ndalemi në disa hollësira të jetës së Shën Gjonit
Maria Vianej. Dukej sikur e gjithë bota ishte ngritur kundër dëshirës së tij për
t’u bërë prift: i jati, i cili nuk donte kurrsesi që i biri të ndiqte këtë rrugë;
Revolucioni që çkristianizoi Francën; Napoleoni që e thirri ushtar, në sa ai u detyrua
të dezertonte, duke mos dashur t’i shërbente njeriut që kishte burgosur Papën Piu
VII. Do të ishte burgosur, po të mos e kishte shpëtuar i vëllai, Fransua, që e
zëvendësoi në ushtri. Më në fund, nën udhëheqjen e me ndihmën e famullitarit të vet
të Ekyji, pranë Lionit, Atë Ballì, Gjon Maria Vianej në moshën 29 vjeç u bë prift
në gusht të vitit 1815, në sa anglezët e çonin Napoleonin të burgosur në ishullin
e Shën Elenës. Shugurohej pa i kryer studimet, e jo se e kishte penguar revolucioni.
Nuk e kuptonte latinishten, nuk dinte të argumentonte, as të predikonte... pra, nuk
mund të realizonte dëshirën për t’u bërë meshtar. Sikur thamë, u desh guximi i Abatit
Sharl Balì, famullitar i Ekyji-së, pranë Lionit, për t’ia hapur rrugën drejt meshtarisë:
ishte abati ai, që i dha mësim në qelën e vet, që e dërgoi në seminar, që e mikpriti
kur i ndërpreu studimet, që vijoi ta përgatiste me durim, derisa e shuguroi meshtar
në Grenoblë. Meshtari i ri e filloi detyrën e famullitarit të Arsit me ankth,
me dëshirën për të ikur nga famullia. Por, pas pak vitesh, në Ars filluan të vinin
njerëz nga të katër anët, ashtu siç shkohet në shtegti. Vinin për të, pasi qe bërë
i njohur përmes ndihmës që u jepte famullive të tjera, sidomos kur ishte nevoja për
të rrëfyer. Ky famullitar, i përqeshur nga priftërinjtë e tjerë, madje edhe i paditur
te ipeshkvi për “huqe” dhe “çrregullime”, nisi të qëndrojë gjithnjë më gjatë në rrëfyestore,
falë talentit të tij për të drejtuar e për të ngushëlluar shpirtrat, u bë i njohur
në të gjitha shtresat e shoqërisë franceze të kohës. Njerëzit që ishin shpresëhumbur,
largoheshin nga rrëfyestorja e tij plot fe e shpresë. Në sa ai vijonte ta konsideronte
veten të paaftë aq, sa provoi dy herë të ikë nga famullia kishtare. E u kthye shumë
shpejt mbrapsht, sepse në Kishë e prisnin qindra njerëz të ardhur edhe nga larg. Vijoi
të rrëfejë e të kremtojë meshë deri në verën e vitit 1859, kur nuk qe më në gjendje
të shkonte në kishë, sepse po jepte shpirt. E pagoi mjekun, duke e porositur të mos
vinte më, sepse shihej qartë që mjekimet ishin të kota. Kur njerëzit e morën vesh
lajmin e vdekjes së Gjon Maria Vianejt, s’mjaftuan trenat as veturat, për t’i përballuar
shtegtarët që niseshin drejt Arsit – shkruan një dëshmitar i kohës. Turma që donte
t’i jepte lamtumirën e fundit ishte aq e madhe, sa trupi i tij u mbajt në Kishë dhjetë
ditë e dhjetë netë. Papa Piu XI do ta shpallte shenjt më 1925. Paraqitet si shembull
e pajtor i klerit të famullive kishtare.