2013-08-03 10:55:05

Jehonë e madhe për mesazhin e Papës Françesku në fund të Ramazanit


Më 2 gusht, besimtarët myslimanë të gjithë botës festuan fundin e Ramazanit, muajit të shenjtë për Islamin. Papa Françesku u dërgoi atyre një mesazh, që në ndryshim nga herët e tjera, kur shkruhej nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, kësaj radhe, mban firmën e vetë Atit të Shenjtë, i cili deshi t’u drejtohej personalisht të gjithë myslimanëve, kudo ndodhen.
Jo më kot, mesazhi fillon me fjalët “Myslimanëve të mbarë botës”. Tema e reflektimit me Islamin, zgjedhur këtë vit nga Papa, është “promovimi i respektit të ndërsjellët, përmes edukimit”. “Respekt”, sqaron Ati i Shenjtë, do të thotë mirësjellje ndaj njerëzve, që vlerësojmë, ndërsa “i ndërsjellët” do të thotë se ky nuk është proces me një kahe, por diçka që impenjon të dyja palët.
“Para së gjithash, tek çdo njeri, duhet të respektojmë jetën – nënvizon Papa Françesku, i cili përmend shën Françeskun e Asizit, pararendës i marrëdhënieve të mira me Islamin – integritetin e tij fizik, dinjitetin dhe të drejtat që rrjedhin prej kësaj, reputacionin, pronën, identitetin e tij etnik e kulturor, idetë dhe vendimet e tij politike. Prandaj – vazhdon Ati i Shenjtë – duhet të mendojmë, flasim e shkruajmë për tjetrin me respekt, jo vetëm në praninë e tij, por gjithnjë e kudo, duke shmangur kritikat e padrejta, ose shpifjet. Për këtë qëllim, luajnë rol të madh familjet, shkollat, mësimi i fesë e çdo lloj mjeti i komunikimit shoqëror”.
Duhet të respektojmë fenë e tjetrit, vazhdon Papa, krerët fetarë e vendet e kultit. “Sa dhimbje shkaktojnë sulmet kundër njërit apo tjetrit!” thekson Papa Bergolio. Me rastin e kremtimeve fetare, duhet të ndajmë me besimtarët e tjerë gëzimin e festës, shkruan Ati i Shenjtë, sikur të fliste për marrëdhëniet tradicionale ndërmjet myslimanëve e të krishterëve në Shqipëri, që gjithnjë i kanë uruar festat njëri-tjetrit.
Përsa i përket edukimit të rinisë, vijon Papa, duhet t’i formojmë të rinjtë në mënyrë që të flasin me respekt për fetë e tjera, duke mos u tallur me besimtarët e me bindjet e tyre. Vetëm kështu mund të ketë miqësi të sinqertë. Ati i Shenjtë kujton fjalët që pati thënë para Trupit Diplomatik, më 22 mars të këtij viti, mbi rëndësinë e dialogut e të bashkëpunimit ndërmjet besimtarëve me fe të ndryshme. Në fund, Papa Françesku, duke uruar festen Id al-Fitr, fundin e Ramazanit, shpreh sërish shpresën që “të gjithë të krishterët e myslimanët të jenë promovues të vërtetë të respektit e të miqësisë së ndërsjellët, veçanërisht përmes edukimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.