2013-08-02 15:35:21

Pesëmbëdhjetëditëshi i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në Bazilikën romake të Shën Marisë në Rrugën Lata.


Prej më se njëmijë vjetësh, të gjitha Kishat e Lindjes e jetojnë me përshpirtëri të thellë solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell.
Nisi, kështu, në kishat lindore, koha më e fortë mariane, përqendruar tek festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, që njihet edhe si “Pashka e Nënës së Zotit”. Solemnitetit i paraprin pesëmbëdhjetëditëshi i lutjes e i agjërimit, “Kreshmët e Virgjërës”. Pesëmbëdhjetëditëshi, që kremtohet në mënyrë të veçantë në Bazilikën e mirënjohur romake të Shën Marisë në Rrugën Lata, nisi dje e do të vijojë deri më 14 gusht, nga ora 21.30 deri në 22.30.
Pesëmbëdhjetëditshi i Zojës së ngjitur në qiell është realizim gati liturgjik i asaj, që kremtohet në botën e Kishës së ritit bizantin, si katolik, ashtu edhe ortodoks, sepse në Kishën bizantine ‘Dremitja” e Marisë konsiderohet si ‘Pashka e Nënës së Zotit’ e 14 ditët, që i paraprijnë, njihen me emrin “Kreshmët e Virgjërës”, në përkim me Kreshmët e mëdha, që i paraprijnë Pashkëve të Krishtit. Janë ditë të rrepta agjërimi, në të cilat besimtarët ngarendin me shumicë në Kishë për të kënduar ritin e lutjeve, drejtuar Nënës së Zotit, të quajtur Paraclisis, përmes të cilit fitohet ndjesa e plotë. E i lartojnë sytë lutës kah Nëna e Zotit, e lumnuar në qiell, për të fituar hirin për vete, për familjet e tyre, për korpin e për shpirtin. Po riti i Paraclisis i këtyre ditëve, është shumë më tepër se një lutje e thjeshtë, është përpjekeje për t’u takuar shpirtërisht me Nënën e Zotit, për t’u përgatitur për kremtimin e Pashkës së lavdisë. Ky rit, tejet i lashtë, kremtohet me solemnitet të veçantë, posaçërisht me dy tekste të mëdha: me Kanunet, domethënë me dy kompozime himnografike: Kanuni i Vogël e Kanuni i Madh i lutjes drejtuar Nënës së Zotit për t’i lypur hire e edhe për t’u përgatitur për kremtimin solemn të festës së Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, për Dremitjen a Përgjumjen e Virgjërës, Nënës sonë qiellore.
Solemniteti do të arrijë kulmin me mbrëmësoren e Lutjes, më 14 gusht, në bazilikën papnore të Shën Marisë së Madhe, nga ora 20.30, deri në orën 22.30, me Oficen dhe Leximet e Meshës të natës së festës.









All the contents on this site are copyrighted ©.