2013-08-02 12:11:04

DBR-ja e Rios. Imzot Forte: të rinjtë jetuan entuziazmin e Ungjillit


Para një jave, në Kopakabana, të rinjtë e gjithë botës përqafonin Papa Françeskun, i pranishëm për kremtimin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë. E ndërsa ktheheshin në shtëpi, Kisha Katolike mendonte, që tani, për Ditën e ardhshme, që do të mbahet në Krakovi të Polonisë, në vitin 2016. Dioqeza e drejtuar nga kardinali Stanislau Xhivish - dikur, sekretari personal i Papës së lum Gjon Pali II - përuroi në kohë rekord faqen e internetit, për këtë qëllim. Ajo është “krakow2016.com”. Por të kthehemi tek Dita Botërore e Rinisë e sapopërfunduar. Në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi i Kietit në Itali, imzot Bruno Forte: RealAudioMP3
Unë do të vija në dukje dy rezultate kryesore, që pashë se kanë zënë vend në zemrat e të rinjve, duke filluar nga ata të dioqezës sime, që munda t’i shoqëroj. Fryti i parë, ai më i dukshmi, lidhet me Javën misionare, që të rinjtë jetuan para se të shkonin në Rio e para se të takoheshin me Papën Françesku. Shumë prej tyre qenë në favelat e Brazilit e mbetën të mahnitur nga gëzimi i të varfërve. Pastaj, pasi shkuan në Rio, takimi i jashtëzakonshëm me Papën e me Kishën: me këtë Kishë të bukur, të gjallë, të re; me këtë Papë, të aftë t’u flasë zemrave të rinisë, të jetojë entuziazmin e Ungjillit e t’ua ngjisë të tjerëve…
Arsyet për të cilat Papa Françesku arrin t’u prekë zemrën të rinjve, sipas jush,?
Unë gjej të paktën tre, që më duken veçanërisht bindëse. E para, ky Papë është kështu si e shohim e kjo ndjehet thellë. Atë që e thotë, e jeton. Nuk i ndan gjestet nga fjalët e të rinjtë kanë nevojë për këtë vërtetësi, për dikë që u duket i besueshëm. Një arsye tjetër e rëndësishme është se Papa Françesku i trajton të rinjtë me besim të madh në ta: u jep besim e i përgjegjëson; i bën të kuptojnë se Krishti ka nevojë për secilin prej tyre. E së fundi, ky Papë i besueshëm, ky Papë që përgjegjëson të rinjtë, i bën ta ndjejnë veten brenda një shoqërie të jashtëzakonshme: nuk jemi vetëm. Kemi, jo vetëm dashurinë e Jezusit, të cilën e ndjejmë në lutje, në sakramente, në bamirësinë për të varfërit; por kemi edhe këtë shoqëri të madhe të Kishës, këtë popull në udhë, që i flet të gjitha gjuhët, u përket të gjitha kulturave. Ishte e bukur, e jashtëzakonshme, të shihje festën e ngjyrave, të zërave, të tingujve, që mbushnin rrugët e Rio-de-Zhanejros: një qytet i mësuar me turmat oqeanike, megjithëse, edhe në karnevalet e fashme të Rios, nuk është arritur kurrë numri i këtyre ditëve – tre milion të rinj! – e sidomos, nuk është arritur kurrë ky gëzim, kjo lumturi.
Papa që u afrohet të rinjve, mundohet t’i kuptojë, por nuk bën lëshime as në moralin e as në mësimet e Kishës…
Po kjo është e qartë! Kjo është forca e tij! Ai diti të transmetojë përmbajtjen e bukur të Ungjillit - që ka nivel të lartë, është shumë kërkues – në një mënyrë të tillë, sa të rinjve iu duk absolutisht i vërtetë dhe bindës. Me fjalë të tjera, nuk është Papë që i përkëdhel, për t’u pëlqyer atyre me çdo kusht. Është Papë, që i do dhe i bën ta ndjejnë sa i do. E kur e do vërtet dikë, e ky dikushi e ndjen se duhet, mund t’i kërkosh gjithçka.








All the contents on this site are copyrighted ©.