Çelësi i fjalëve të Kishës: dekreti konciliar "Perfectae Caritatis"
Të dashur dëgjues, vazhdojmë t’ju njohim me dokumentet konciliare. Kësaj radhe me
dekretin “Perfectae Caritatis”, me të cilin Koncili II i Vatikanit deshi të
përtërijë jetën rregulltare. Duke nënvizuar se zbatimi i tij në praktikë akoma
vazhdon, mund të themi se ai është një nga dokumentet më të shkurtra, miratuar me
2321 vota pro e vetëm 4 kundër. U nënshkrua nga Papa Pali VI më 28 tetor 1965. Nga
latinishtja, titulli i tij do të thotë “përsosuria e dashurisë”. Propozimet për përtëritjen
e jetës rregulltare patën ardhur sidomos nga universitetet katolike: Gregoriana nguli
këmbë në formimin e në mosvarjen nga ipeshkvi; Lateranensi, në shekullarizimin e në
bashkëpunimin me pjesën tjetër të klerit; universiteti i Lionit, në mbarëvajtjen e
jetës rregulltare në kohën tonë dhe në seriozitetin e studimeve e kështu me radhë…
Dokumenti, u miratua nga etërit konciliarë, në formë dekreti, pas paraqitjes së shtatë
skemave. “Perfectae Caritatis” mund të ndahet në dy pjesë të mëdha: në të parën
(nr. 2-15) përcaktohen parimet e rinovimit të jetës rregulltare; në të dytën (nr.
16-24) paraqiten zbatimet praktike. Përsa i përket rinovimit, Koncili përcaktoi pesë
parime, duke vendosur si parim të parë Ungjillin e kështu, me një goditje të vetme,
kapërceu të gjitha rregullat, kushtetutat, statutet e direktivat e themeluesve të
kongregatave të ndryshme, pra, gjithçka ishte e nevojshme të përtërihej në dritën
e Fjalës së Zotit. Pastaj, dekreti “Perfectae Caritatis” vë theksin tek kthimi në
shpirtin, apo frymën e themeluesit. Parimi i tretë kërkon që institutet e jetës rregulltare
të marrin pjesë aktive në jetën e Kishës, i katërti, që t’i shoshisin mirë vlerat
e botës e i fundit, bën thirrje për kultivimin e vlerave të brendshme shpirtërore.
Pika të tjera të “Perfectae Caritatis” kanë të bëjnë me aspekte praktike: klauzura
e murgeshave, veshja e rregulltarëve, themelimi i instituteve të reja, të cilat nuk
duhej të shumëfishoheshin pa nevojë etj.. Prirjet konciliare - që pas diskutimeve,
sollën në hartimin e tekstit përfundimtar - ishin kryesisht dy: ajo tradicionaliste
e ajo moderne, nëse mund ta quajmë kështu. Tradicionalistët e konsideronin jetën rregulltare
si gjendje përsosurie, duke iu referuar shkrimeve të Etërve të Kishës, që nga shën
Toma, të cilët e jepnin virgjërisë epërsi në krahasim me martesën. Pas martirëve,
jeta e rregulltarëve ishte më e denjë se e të tjerëve për t’u quajtur shenjte. Prirja
e dytë, ajo që u quajt më moderne, vinte theksin në përdorimin e gabuar të fjalës
“gjendje përsosurie”, e cila kuptohej si përcaktim për njerëzit e përsosur, doktrinë
kjo, që shën Toma nuk e kishte përvijuar kurrë. Sipas progresistëve, nuk ka asnjë
ndryshim ndërmjet të krishterëve, ndryshon vetëm thirrja e tyre për jetën, dikush
në jetën rregulltare e dikush në martesë, pa fituar për këtë epërsi në krahasim me
tjetrin. Koncili i kapërceu vështirësitë e lindura nga ky konfrontim, duke vënë
në plan të parë thirrjen e përgjithshme e të përbashkët për shenjtërimin e jetës.
Pagëzimi, theksohet në dekretin “Perfectae Caritatis” nuk dallon dy kategori të krishterësh,
por i impenjon të gjithë njëlloj në ndjekjen e gjurmëve të Krishtit, por sipas mënyrave
të ndryshme të jetesës së secilit. Gjithsesi, jetës rregulltare i njihet vlera e veçantë
e përkushtimit të plotë ndaj Zotit. Zbatimi i dekretit konciliar për jetën rregulltare
pati vështirësitë e veta. Probleme dolën nga konsiderata mbi shugurimin e bashkëshortëve,
nga konceptimi i gabuar i normave në disa institute rregulltarësh, që çoi madje në
shkëputjen e grupeve nga trungu mëmë e në krijimin e instituteve të reja, siç qe rasti
i sakramentinëve brazilianë, nga të cilët u shkëput një grup, që themeloi më pas kongregatën
“Shërbëtorët e Eukaristisë”. Në vitin 1980, Kongragata e Vatikanit për Institutet
e Jetës së Shuguruar, u dha fund eksperimenteve dhe i këshilloi rregulltarët të formulonin
përfundimisht statutet e kushtetutat e tyre. Përtëritja e jetës rregulltare, ashtu
siç e deshi Koncili II i Vatikanit, vazhdon akoma, edhe me lindjen e formave të reja
si Lëvizjet e ndryshme Neokatekumenale.