2013-08-01 18:29:49

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 18-të “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, këtë herë do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të dielës së 18-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Fjala e Zotit e kësaj së diele na kujton edhe një herë se jeta jonë nuk varët nga ajo që posedojmë, nga ajo pasuri që kemi. Në kohët e krizës ekonomike në nivelin botëror, siç është koha aktuale, fjalët që dëgjojmë nga pjesët biblike të liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele, na ndihmojnë t’i shqyrtojmë problemet tona e na propozojnë vlera më të larta, nga të cilat vërtet mvarët kuptimi e caku i jetës, vlera që nuk duhet lënë pas dore.
Kështu pra, në liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele jehon fuqishëm thirrja për t’i braktisur siguritë e rreme, mashtruese e kalimtare, e të mbështetemi mbi mira e mbi vlera të pacenueshme e të përhershme. Leximi parë nga Libri i Kishtarit apo Koeletit pohon se “gjithçka kalon”, pasuritë, puna, kënaqësia: janë gjëra të brishta, kanë afat të shkurt. Sendet tokësore nuk japin siguri, shuhen shumë shpejt, e në dritën e fesë, vërtet është kotësi të mbështetësh mbi to.
Prandaj, të lirohemi prej sigurive mashtruese që lidhen sidomos me grumbullimin e të mirave materiale, që kanë të bëjnë me posedimin e të mirave tokësore, e t’i kërkojmë “gjërat që janë lart”, na porosit shën Pali Apostull.
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi tregon shëmbëlltyrën e pasanikut budalla, të dënuar për lakmi të të mirave, e na fton të pasurohemi para Zotit.
Ndër nevojat e domosdoshme që njeriu ka gjithmonë është kërkimi i sigurisë, kërkimi i një themeli të qëndrueshëm në jetë. Ungjilli i kësaj së diele e tregon se ky themel e kjo siguri gjendet në fe, e jo në synimin e grumbullimin e pasurive materiale. Pra, Fjala e Zotit e liturgjisë së kësaj së diele na ofron një reflektim mbi vlerën e jetës së njeriut në raport me pasuritë. Fjala e Zotit na fton të shqyrtojmë e të shikojmë shumë qartë deri në fund e të shkojmë deri në rrënjë të të gjitha gjërave, për të kuptuar se si shpresa jetës, shkon përtej të gjitha sendeve të krijuara e të dukshme. Në Fjalën e Hyjit të kësaj së diele, gjejmë urtinë për ta orientuar jetën tonë në rrugën e drejtë e të vërtetë e kështu për t’iu shmangur vlerave kalimtare e të rreme.
Ne shqetësohemi shumë për atë kemi e për atë që të tjerët thonë për ne, për se çfarë mendojnë për ne. Një gjë që thonë për ne mund të na shqetësojë…por nuk shqetësohemi për atë që me të vërtetë është e rëndësishme: çfarë mendon Jezusi për ne? Çka na thotë Jezusi sot e çka na këshillon për jetën tonë?
Në Ungjillin e kësaj të diele Jezusi na tregon se çështjet e ndryshme mbi trashëgiminë, mbi paratë ose të mirat tjera materiale nuk i interesojnë aspak dhe për të nënvizuar atë çka Hyji pret e kërkon prej nesh, e tregon shëmbëlltyrën e një pasaniku, për të na thënë se jeta nuk varet nga pasuria që kemi. Ky pasanik e kishte mbështetur tërë jetën e tij mbi pasuritë materiale të cilat nuk mund ti shijojë pse jeta nuk është pronë e jona por e Zotit, e në çdo çast e atëherë kur nuk e presim, Hyji mund të na e kërkojë mbrapa, mund të na e marrë e këndej të mirat e pasuritë materiale që kemi nuk mund t’i marrim me vete tek Hyji, në jetën e amshuar. Vetëm veprat e dashurisë mund t’i paraqesim para Zotit. Pra, Jezusi na tërheq vëmendjen që të pasurohemi me ato pasuri e të mira që nuk vjetrohen, që nuk tjetërsohen, që nuk konsumohen por vlejnë përjetësisht. Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Kish 1, 2; 2, 21-23

Lexim prej Librit të Kishtarit

Kotësi mbi kotësi, thotë Kishtari, kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi! E njëmend ka njeri që punon me urti, me dije e me kujdes dhe gjithçka do t’ia lërë për trashëgim njërit që aspak për të s’është munduar. Ja, pra, edhe kjo është një kotësi e keqe e madhe! Sepse çka fiton ai prej të gjithë mundit të vet e prej tërë përpjekjes personale që e bëri nën diell? Të gjitha ditët e jetës së tij kaluan në dhimbje, mund e kujdesim, dhe as natën nuk mundi ta kalojë në qetësi. Edhe kjo gjithashtu është kotësi! Fjala e Zotit.

Psalmi 95

O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd
______________
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
______________

Ejani ta adhurojmë,
të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai e ruan.
______________

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur
porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
______________

Leximi i dytë Kol 3, 1-5.9-11

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit. Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. U kur të duket Krishti, jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi. Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja, ato tokësoret: fëlligështia, papastria, epshet, dëshirat e këqija, lakmimi i tepruar i pasurisë, ajo idhujtari. Mos rreni njëri-tjetrin! Ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tija dhe veshët njeriun e ri që përtërihet në njohurinë e drejtë në përngjasim të Krijuesit të vet. Aty nuk ka më: grek – hebre, rrethprerje – parrethprerje, barbar – skit, skllav – të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Është afër Mbretëria qiellore: kthehuni e besoni Ungjillit.
Aleluja.

Ì Ungjilli Lk 12, 13-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Atëherë dikush prej turmës i tha: “Mësues, thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.” “Or mik – i përgjigji Jezusi – kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?” Atëherë u tha: “Vëniani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.”
Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. Ai mendonte në vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia.’ Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. Atëherë do t’i them shpirtit tim: Shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’ Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Shi sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’ Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.” Fjala e Zotit.
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni edhe këtu.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.