2013-07-31 14:43:43

“Vëllazërimi, themel e rrugë për paqen”, tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën e 47-të të Paqes.


“Vëllazërimi, themel e rrugë për paqen”. Kjo është tema e Ditës së 47-të Botërore të Paqes. Dita Botërore e Paqes, kujton një komunikatë e Vatikanit, u themelua me dëshirën e Palit VI e vijon të kremtohet në ditën e parë të çdo viti të ri. Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes u dërgohet Kishave të veçanta e kancelerive të mbarë botës, për t’u kujtuar vlerën themelore të paqes dhe nevojën për të punuar pa u lodhur kurrë në mbrojtje të saj.
Papa Françesku zgjodhi si temë të Mesazhit të tij të parë për Ditën Botërore të Paqes, vëllazërimin. Që nga fillimi i papnisë, si ipeshkëv i Romës, Papa nënvizoi rëndësinë e kapërcimit të ‘kulturës së përjashtimit’, për t’i hapur udhën ‘kulturës së takimit’ e për të ecur drejt realizimit të një bote më të drejtë e më paqësore.
Vëllazërimi është dhuratë, që e ka në vetvete çdo burrë e çdo grua, si qenie njerëzore, bir e bijë e të njëjtit Atë. Përballë dramave të panumërta, që shqetësojnë familjen njerëzore: varfëri, uri, prapambetje, konflikte, emigracion, ndotje e mjedisit, pabarazi, padrejtësi, kriminalitet i organizuar, fondamentalizëm, vëllazërimi është bazë e rrugës për paqen.

Kultura e mirëqenies shkakton humbjen e ndjenjës së përgjegjësisë, i këput lidhjet vëllazërore. Të tjerët, në vend që të na duken të ngjashëm me vetveten, na duken kundërshtarë, armiq. E arrihet deri atje, sa të shikohen si sende. Gjithnjë më shpesh të varfërit e nevojtarët shikohen si barrë, si pengesë për zhvillimin. Nuk shikohen, pra, si vëllezër, si njerëz që kanë nevojë për gjithçka, që duhen ndihmuar. Nuk mendohet se edhe ata kanë pjesë në dhuratat e Krijimit, se duhen ndarë edhe me ta pasuritë e progresit e të kulturës, se duhet të ulen rreth sofrës së jetës e të jenë protagonistë të zhvillimit të plotë e të gjithanshëm.

Vëllazërimi, dhuratë e impenjim, që vjen nga Hyji Atë, i nxit të gjithë njerëzit të jenë solidarë, t’i kundërvihen pabarazisë, të luftojnë kundër varfërisë, që e ligështon jetën e shoqërisë, të kujdesen për çdo njeri, sidomos për më të voglin, më të pambrojturin. Ta duan tjetrin si vetveten, me po atë Zemër, që rreh në kraharorin e Krishtit.
Në një botë, ku rritet gjithnjë më shumë ndërvartësia, nuk mund të mungojë pasuria e vëllazërimit, që duhet të fitojë mbi globalizimin e indiferencës, të cilin Papa e kujton vazhdimisht. Indiferenca duhet t’ia lëshojë vendin globalizimit të vëllazërimit.
Vëllazërimi duhet të lërë gjurmën e vet mbi të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë edhe ekonominë, financën, shoqërinë civile, politikën, kërkimin shkencor, zhvillimin, institucionet publike e kulturore.
Papa Françesku, në fillim të papnisë, me këtë mesazh, në vazhdimësi me paraardhësit, u propozon të gjithëve rrugën e vëllazërisë, për t’i dhënë botës një fytyrë më njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.