2013-07-31 12:38:05

Papa Françesku kremtoi Meshën në Kishën e Jezusit në Romë me rastin e festës së Shën Injacit të Lojolës.


Me rastin e festës së Shën Injacit të Lojolës, themeluesit të Jezuitëve, Papa Bergoglio kremtoi sot paradite Meshën e Shenjtë me jezuitët e Kishës së Jezusit në Romë. Qe një kremtim i Eukaristisë në formë private, si kremtimet në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Gjatë homelisë së Meshës, Papa Françesku i nxiti jezuitët, sivëllezërit e tij rregulltarë, ta vënë Krishtin në qendër të jetës së tyre, duke e vendosur anash vetveten. Ati i Shenjtë kujtoi se jezuitët janë të thirrur në mënyra të ndryshme ta dhuroi jetën e tyre për të tjerët e në këtë kontekst kujtoi figurat e dy jezuitëve që “kanë dhuruar jetën” gjatë misionit e shërbimit të tyre, shën Françesk Saveri e Atë Pedro Arrupe. E këtu Papa kujtoi edhe jezuitin italian atë Paolo Dall’Oglio, që gjendet në Siri, e për të cilin prej ditësh nuk ka lajme e nuk dihet se ku ka përfunduar. Në fillim të Meshës, eprori i përgjithshëm i jezuitëve, atë Adolfo Nicolas i drejtoi përshëndetjen e mirëseardhjes Papës jezuit në Kishën e Jezusit në Romë, ku ruhen trupi i Shën Injacit të Lojolës. E kujtojmë se gjatë bisedës në avion me gazetarë, gjatë kthimit nga Rio de Zhanjero në Romë, Papa Françesku qe përgjigjur edhe në pyetjen nëse ndjehet akoma jezuit. Ja çka tha:
Është një pyetje teologjike, sepse jezuitët bëjnë kushtin e dëgjesës ndaj Papës. Por nëse Papa është jezuit, ndoshta duhet të bëjë kushtin e dëgjesës ndaj eprorit gjeneral të jezuitëve...Nuk di si ta zgjidh këtë çështje...Unë ndjehem jezuit në spiritualitetin tim. E aq ndjehem i tillë sa që brenda tre ditësh do të shkojë për të kremtuar me jezuitë festën e Shën Injacit: do të kremtojë Meshën në mëngjes. Nuk e kam ndërruar spiritualitetin, jo. Françesku, françeskan: jo. Ndjehem jezuit e mendoj si jezuit. Jo në mënyrë hipokrite, po mendoj si jezuit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.