2013-07-31 14:44:20

Nigeri: bomba e vdekje në një lagje të krishterë. Reflektimi i kardinalit Onajekan


Është rritur në 24 numri i viktimave të shpërthimeve në Kano, veriu i Nigerisë, që të hënën mbrëma goditën lagjen e banuar kryesisht nga të krishterët. Edhe më parë, zona ka qenë në shënjestër të ekstremistëve islamikë Boko Haram. Të dëgjojmë opinionin e kryeipeshkvit të Abuxhës, kardinalit Xhon Onajekan:
Ndjejmë dhimbje të madhe! Këta njerëz vazhdojnë të vendosin bomba aty-këtu… Nuk kemi arritur t’i ndalim akoma, megjithëse forcat e rendit po bëjnë shumë. Kjo dëshmon se problemi nuk zgjidhet vetëm me armë. Kemi nevojë për më shumë kontakte personale ndërmjet grupeve të ndryshme të shoqërisë nigeriane, kontakte ndërfetare, që pak nga pak t’i bindin njerëzit se nuk bëhet kështu, nuk nderohet kështu Zoti e as ndërtohet një shoqëri e re nigeriane. Sipas meje, këto çështje nuk përballohen me seriozitetin e duhur!
Si po i përjeton këto sulme bashkësia e krishterë?
Të gjithë ata, që jetojnë në atë zonë të Nigerisë, janë në rrezik. Bombat shpërthyen në zonën e Kanos, ku vijnë nigerianë nga anë të tjera të vendit. Në këtë zonë ka shumë të krishterë, por edhe myslimanë. Thanë se bomba u vendos afër një bari, ku njerëzit hanin e pinin: argëtim krejt i pafajshëm, por ndoshta, këta njerëz mendojnë se ku ka alkool, aty është armiku. Harrojnë se në Nigeri, asnjë ligj nuk pengon shitjen dhe konsumin e alkoolit.
Kësaj radhe flitet haptas për ekstremistët Boko Haram…
Tani as që kuptohet më cilët janë anëtarët e Boko Haramit. A është grup, a janë shumë grupe, apo njerëz të tjerë, që kanë dalë nga organizata me synim dhunën? Fatkeqësisht, qeveria nuk ka arritur t’i identifikojë me siguri.
Sipas jush, cila është udha e pajtimit?
Para së gjithash, një përgjigje e menjëhershme e forcave të rendit, të pranishme masivisht në zonat e veriut, saqë e bëjnë të vështirë jetën e përditshme me postoblloqet e tyre. E kjo është vetëm njëra anë. Paqtimi i vendit, pajtimi ndërmjet grupeve të ndryshme duhet bërë jo vetëm në planin fetar, por edhe në atë politik. Nëse nuk mbërrijmë të krijojmë debate për të gjetur paqen mes nesh, do të kemi gjithmonë të çmendur, që do të kryejnë akte tragjike si ai i së hënës mbrëma.







All the contents on this site are copyrighted ©.