Me 31 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Injacin e Lojolës
Me 31 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Injacin e Lojolës, themeluesin e
Urdhrit të Jezuitëve. Sot pra me 31 korrik Kisha katolike përkujton një nga Shenjtorët
më të mëdhenj të saj, Shën Injacin nga Lojola, themeluesin e Urdhrit të Jezuitëve.
Injaci lindi në Vendet Baske e pikërisht në Azpeitia në vitin 1491. Në moshën 14 vjeçare
zgjodhi karrierën ushtarake. Pas një lufte të rreptë shpirtërore, natën ndërmjet 24
e 25 marsit 1522, vendosi t’i kushtohej plotësisht Zotit, duke braktisur të gjitha
rrugët tjera që kishte provuar në moshën e ëndrrave. Kështu 33 vjeçar kthehet në
bankat e shkollës në Barcelonë dhe nis të studionte si të ishte fëmijë, derisa fitoi
doktoratën në arte, në Paris, ku u njoh edhe me shokët e parë. Më 15 gusht 1534 lindi
Shoqëria e Jezusit, e miratuar vetëm pas gjashtë vjetësh nga Kisha. Është e Shën Injacit
ideja për ndërtimin e kolegjeve, nga të cilat nisën jetën një numër i madh universitetesh
të mirënjohura në Evropë e në Botë. Vdiq në Romë më 31 korrik 1556. Për Shën Injacin
çdo fjalë e Ungjillit ishte si profeci për t'u përmbushur në çdo kohë. Kështu Injaci
i drejton kohës së tij pyetjen e Krishtit: "E ju, kush thoni se jam unë?” - duke e
ditur se kjo pyetje bëhet përherë në mënyrë të posaçme, për çdo shekull e për çdo
person. Çdo njeri, në çdo kohë, në një mënyrë më pak a më shumë të qartë, gjendet
përballë kësaj pyetjeje themelore. Nuk mjafton të përsëritësh përgjigjet e përpunuara
nga teologët ose nga autorët e mëdhenj të përshpirtërisë, ndonëse janë këto që na
i mëson katekizmi. Shumë nga bashkëkohësit tonë nuk preken më nga pyetja e Jezusit,
sikur kjo pyetje të ishte një - ndërmjet shumë të tjerave, që janë bërë nga shenjtërit
dhe të urtët e feve të tjera. Injaci nuk don tjetër, veçse t'i ndihmojë njerëzit -
siç shprehet ai vetë, - për t'i dhënë një përgjigje të veçantë pyetjes së Jezusit:
"E ti, ç'thua për mua?". Një përgjigje të re e personale, në cilën çdo njeri vë në
lojë jetën e vet. S'ka pikë rëndësie në se ky njeri gjen fjalë të reja për ta shprehur
besimin e tij në Jezusin, apo përsërit fjalët e traditës, për t'i bërë vërtetë të
vetat: fjala është për një përgjigje të dhënë me gjithë zemër, duke qenë i gatshëm
të vesh në shërbim të saj gjithë jetën. Injaci është i bindur se duke iu përgjigjur
kështu pyetjes së Jezusit, njeriu fiton një zemër të madhe, sepse Zoti, gjithnjë më
i madh, e ndihmon edhe njeriun të bëhet i madh Atë Dedë Pazi, Misionar, Atë Gjon
Fausti e Atë Daniel Dajani, kandidatë për nderimet e elterit, Atë Pjetër Meshkalla,
atë Jak Gardini, Atë Anton Luli, Atë Gjergj Vata.... sa e sa të tjerë, emrat e të
cilëve u skalitën në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën e popullit shqiptar, janë disa
nga anëtarët shqiptarë e misionarë të asaj Shoqërie, që pati si kryetar të parë Shën
Injacin. E ishin pikërisht këta jezuitë e sivëllezërit e tyre, emrat e të cilëve
do të formonin një listë tepër të gjatë, po t’i kujtonim, ata që i dhanë popullit
shqiptar Misionin Shëtitës,i cili pajtoi aq shumë gjaqe shkrepave e rrugëve të qyteteve;
Kolegjin e famshëm Saverian, që përgatiti nxënës për të gjitha shkollat e botës; revistën
e parë në gjuhën shqipe “Elçinë e Zemrës së Krishtit”; teatrin e parë, muzeun e parë;
revistën ‘LEKA’; një ndër bandat e para muzikore e shumë e shumë pasuri të tjera,
të rrafshuara nga komunizmi, që po rindërtohen me mund e me djersë nga jezuitë të
rinj, misionarë e shqiptarë, ndër të cilët jezuiti më i ri, i pari pas diktaturës,
Atë Zef Bisha, përmbi gërmadhat e vjetra, që rrezatojnë lavdinë e martirizimit.