2013-07-31 12:51:21

Cikël reflektimesh kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike: Etapat e zbulesës


Na flet për “Etapat e zbulesës”, jezuiti atë Dariush Kovalçik, në reflektimin e pestë të ciklit kushtuar Katekizmit të Ri të Kishës Katolike.

Për ta njohur Hyjin, shkruan atë Kovalçik, kemi nevojë që Zoti vetë të na dëftohet. E, në të vërtetë, Hyji iu dëftua njeriut. Katekizmi, në numrin 54, flet pikërisht për etapat e Zbulesës. Në fillim Hyji iu dëftua paraardhësve tanë, duke i ftuar në bashkim intim me Të (n.54). E këtë ftesë vijon ta bëjë në shekuj. Edhe pas asaj katastrofe antropologjike, që e quajmë mëkati i rrjedhshëm. E edhe pas rënies të të parëve tanë. Zoti shumë herë vijoi t’u zgjasë dorën njerëzve, për të lidhur besën me ta.

Historia e Noehit është teksti i parë biblik, në të cilin Zoti lidh besën me njeriun. Ylberi është shenjë e kësaj besëlidhjeje. “I tha Zoti Noehit: ‘Kjo është shenja e besës, që unë po lidh ndërmjet meje e çdo gjallese mbi tokë (Zan 9,17). Katekizmi nënvizon se “Besëlidhja me Noehin mbetet në fuqi për të gjitha kombet, deri në shpalljen universale të Ungjillit (n 59). Një pohim i tillë na bën të kujtojmë një frazë misterioze të Ungjillit të Shën Lukës: “Jeruzalemi do të shkelet nga paganët, derisa të zgjasë koha e paganëve” (Lk 21,24).
Besë tjetër është ajo që lidhi Zoti me Abrahamin. “Në ty do të bekohen të gjitha fiset e tokës” (Zan 12,3) – i tha Zoti Abrahamit. Populli pasardhës i tij, do të ishte trashëgimtar i premtimeve, që iu bënë patriarkëve, e do të bëhej popull i zgjedhur. Me këtë popull Zoti lidhi Besën e Sinait, duke i dhënë, me dorën e Mosiut, Dhjetë Urdhërimet, dhjetë fjalë jete.

Besa lidhet plotësisht në vetjen e Jezu Krishtit, që është “e vetmja Fjalë, e përkryer e përfundimtare” (KKK, 65) e Hyjit Atë.

Duhet të kujtojmë, prandaj, se bëjmë pjesë në besën e lidhur nga Hyji me njerëzit. Kështu mund ta rigjejmë më lehtë kuptimin e jetës: në historinë e Noehit, të Abrahamit e, sidomos, të Jezusit, Zbulues e Zbulesë bërë Vetje.







All the contents on this site are copyrighted ©.