2013-07-30 15:44:36

Brazili ndjen “saudade” për Papën Françesku


Brazili ndjen që tani “saudade” (mall) për Papën Françesku. Kjo është ndjenja e përgjithshme, që përshkruajnë këto ditë, gazetat e vendit latinoamerikan, pas përfundimit të Ditës Botërore të Rinisë.
Nëse “Jornal do Brasil” titullon me shkronja të mëdha se katër ditët e fundit në metropolin kariokas kanë qenë ditë “paqeje të plotë, pavarësisht nga 3 milion vetë nëpër rrugë”, gazetat e tjera i japin hapësirë të madhe intervistës së Papës Bergolio për televizionin “Globonews”, transmetuar në programin “Fantastico”.
Gazeta “O Globo” vë theksin mbi komentin e Atit të Shenjtë për manifestimet në sheshet e Brazilit. Titulli: “Papa i nxit të rinjtë të protestojnë, por i paralajmëron për rrezikun e manipulimit”.
“Françesku e do Kishën në shërbim të besimtarëve” shkruan e përjavshmja “Veja” në variantin e saj në internet, ndërsa “Estadao” ndalet në fenomenin e rënies së numrit të katolikëve në Brazil e në Amerikën Latine në përgjithësi, duke nënvizuar se për Papën, njëra nga arsyet, mund të jetë “mungesa e afërsisë së Kishës me dishepujt e vet”.
“Françesku kritikon liberalë e konservatorë në Kishë” titullon gazeta “Folha de S. Paulo”, e cila, në nëntitull, citon fjalët e Papës, që tha se “ideologjitë sjellin rrezik për veprimtarinë baritore”.
Por të gjitha mediat bien dakord kur është fjala për të përshkruar ndjenjat e mirëkuptimin ndërmjet Papës dhe shtegtarëve e popullsisë braziliane. “Gjatë qëndrimit të tij – shkruan në një editorial për “G1”, eksperti në të Drejtën Kanonike, Edson Luiz Sampel – Ati i Shenjtë shkaktoi një ortek me gjeste ëmbëlsie”.
Edhe për gazetën “O Dia”, “imazhi i Papës, që përqafonte të moshuar e puthte fëmijë nëpër rrugët e Rios do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e brazilianëve”. “Qyteti – shton gazeta kariokase – u zgjua sot indiferent. Nuk do ta shohim më atë zotërinë e gjatë, rinor e karizmatik, gjithnjë të rrethuar nga një turmë oqeanike, e etur edhe për një përshëndetje të vogël me dorë. E malli fillon të pushtojë shpirtrat”.








All the contents on this site are copyrighted ©.