2013-07-29 13:49:49

“Shkoni, pa frikë, për të shërbyer!”: misioni i Papës Françesku për 3 milion të rinjtë e pranishëm në meshën përfundimtare të DBR-së së Brazilit


“Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!”. Tema e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë, që përfundoi me Meshën e sotme në Kopakabana, ku rreth 3 milion të rinj takuan sërish Papën Françesku, i zhytur në një det duarsh, flamujsh, entuziazmi të papërshkrueshëm, qe në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë dhe të Lutjes së Engjëllit të Tënzot, menjëherë pas kremtimit eukaristik. E Dita e ardhshme Botërore e Rinisë, do kremtohet në Poloni, në Krakovi, aty ku ka qenë kryeipeshkëv i Lumi Gjon Pali II. Gjatë natës, sipas orës së Evropës, Papën e presin veprimtari si takimi me komitetin e koordinimit të Këshillit Ipeshkvnor Latinoamerikan (CELAM), përshëndetja me vullnetarët e Ditës Botërore të Rinisë dhe ceremonia e lamtumirës, por përqafimi me të rinjtë, ndër të cilët edhe 12 shqiptarë, qe pikërisht sot pasdite, mëngjes në Brazil.RealAudioMP3
Rreth 3 milion të pranishmit e pritën Papën Françesku gjithë natën, me lutje e, kur u duk në bregdetin e Kopakabanës, me këngë, me himnin e DBR-së, kënduar nga një kor, që përfaqësonte meshtarët e gjithë Brazilit, përfshirë ata, që ungjillëzojnë përmes muzikës kishtare. Këngët për meshën u zgjodhën pas një konkursi kombëtar, ku morën pjesë të rinj nga i gjithë vendi. Edhe kjo meshë e mbushur me gjeste domethënëse! Në çastin e sjelljes së ofertave në elter, Ati i Shenjtë mori nga duart e prindërve një vogëlushe lindur pa tru, të cilën e pati takuar edhe dje paradite, pasi doli nga katedralja e Rios. Pavarësisht se fëmijë të tillë vdesin menjëherë pas lindjes, prindërit nuk deshën ta abortojnë, por e pranuan këtë jetë të vogël, që mrekullisht, vazhdon të mbahet gjallë. Papa Françesku shprehu dëshirën ta merrte në meshë si ofertë për Zotin e jetës.
Nuk munguan edhe gjeste të tjera, më të zakonshme. Makina e Atit të Shenjtë u mbush me dhurata e kërkesa për lutje nga besimtarët, të cilët Papa i plotëson një për një, ashtu siç bënin edhe paraardhësit e tij. E pastaj, imazhet e Atit të Shenjtë, Françeskut, që pi “mate” (pijen me bazë çaji) nga duart e zgjatura drejt tij, që la një vajzë të ngjitej në xhipin e tij për ta përqafuar, që puthi gjithë fëmijët që i afronin, s’kanë të paguar e nuk harrohen lehtë.
“Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt”. Jezusi, tha Ati i Shenjtë në meshën festive, na drejtohet secilit prej nesh e na lë këtë detyrë. Bukur, të marrësh pjesë në Ditën Botërore të Rinisë, por tani ti, secili prej jush, u tha të rinjve Papa Bergolio, duhet t’ua transmetojë këtë përvojë të tjerëve. E si gjithnjë, Ati i Shenjtë zgjodhi tri fjalë, që e përmbledhin këtë mision: “Shkoni, pa frikë, për të shërbyer”.
Papa i mori dhe i analizoi një për një, duke u nisur nga fjala e parë, “shkoni”. Gjatë këtyre ditëve në Rio, u tha ai të rinjve, keni qenë të gjithë bashkë dhe e keni takuar së bashku Jezusin. Por nuk mund ta mbani të mbyllur këtë përvojë vetëm në jetën tuaj, apo në grupin e vogël të famullisë, të lëvizjes, të bashkësisë, ku bëni pjesë. Do të ishte sikur të mos e ushqenit më me oksigjen flakën, që ju djeg krahërorin. Kjo flakë duhet përhapur:
“Vetëm, kujdes! Jezusi nuk thotë: nëse doni, nëse keni kohë, por: ‘Shkoni e bëni dishepuj gjithë popujt”. Ndarja e përvojës së fesë me të tjerët, dëshmimi i fesë, kumtimi i Ungjillit është mandati, që Zoti ia beson krejt Kishës, edhe ty; është urdhër, i cili, nuk lind nga vullneti për mbizotërim e pushtet, por nga forca e dashurisë… Jezusi nuk na trajton si skllevër, por si njerëz të lirë, si miq, si vëllezër; jo vetëm na dërgon, por na shoqëron, është gjithnjë pranë nesh në këtë mision dashurie”.
Nuk ka as kufi, as kufizime për këtë, vazhdoi Papa Françesku, duke nënvizuar se Ungjilli është për të gjithë e jo vetëm për ata, që duken më afër Kishës. E përsëri fjala e tij e dashur: “periferitë ekzistenciale”… Ungjilli, tha Papa, të shkojë edhe tek ata, që duken më indiferentë, më larg. Është detyrë e të rinjve ta çojnë Fjalën e Zotit larg, ashtu si i Lumi Hozè de Ankieta, brazilian, që u nis për mision kur ishte vetëm 19 vjeç. Pastaj, Ati i Shenjtë u përqendrua në fjalën e dytë: “Pa frikë”. Shkoi pra, e mos kini frikë, u tha Papa të rinjve:
“Kur shkojmë për të kumtuar Krishtin, është Ai vetë që na parakalon e na prin. Duke i dërguar dishepujt e Vet në mision, premtoi: ‘Unë jam me ju në të gjitha ditët’ (Mt 28,20). Jezusi nuk na lë vetëm! …E pastaj, Jezusi nuk thotë: ‘Shko’, por ‘Shkoni’: na dërgon të gjithë bashkë. Të dashur të rinj, ndjejeni praninë e gjithë Kishës e, edhe bashkimin me shenjtorët në këtë mision…mos u ndjeni kurrë vetëm!”
Fjala tjetër e treshes, së përgatitur nga Papa, është “për të shërbyer”. Jemi në gjendje të shërbejmë, pra “të shkojmë, pa frikë, për të shërbyer”, vetëm nëse jeta jonë përkon me atë të Jezusit, vetëm nëse kemi të njëjtat ndjenja, mendime e veprime. E duke cituar shën Palin Apostull, Ati i Shenjtë theksoi:
“Jeta e Jezusit është jetë për të tjerët. Është jetë shërbimi. Për ta kumtuar Jezusin, shën Pali u bë ‘shërbëtor i të gjithëve’. Të ungjillëzojmë e ta dëshmojmë ne vetë dashurinë e Zotit, do të thotë ta kapërcejmë egoizmin, do të thotë të shërbejmë duke u përkulur për të larë këmbët e vëllezërve, siç bëri Jezusi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.