2013-07-29 15:21:00

DBR-së. Papa Françesku përshëndet Brazilin: kam mall për këto ditë, plot me shpresën e pakufishme të të rinjve.


Falë të rinjve të Brazilit e të mbarë botës, Krishti po përgatit një pranverë të re nëpër të gjitha shtigjet e Planetit. Është i sigurt për këtë Papa, e këtë siguri e shprehu me forcë në veprimtarinë e fundit të shtegtimtit të tij apostolik në Brazil. Në fjalimin e lamtumirës, mbajtur në Aeroportin do Galeão të Rio-de-Zhanéjro-s, Papa falënderoi presidenten Dilma Roussef, e edhe autoritetet civile e kishtare për suksesin e DBR-së e për dashurinë e madhe me të cilën u prit kudo, ku i shkeli këmba.RealAudioMP3
Mall! Këtë herë Papa nuk ka tri fjalë për të thënë. Ka vetëm një. Një fjalë e vetme. Përmbledh më me forcë se të gjitha të tjerat, shpirtin e vendit, që e priti. Mall për Brazilin e madh e për Zojën e vogël të Aparesidës. Për popullin mikpritës, që siguroi suksesin e DBR-së, e për pararojat e popujve të botës, të rinjtë, të cilët tani do t’i mbjellin farët e ditës braziliane në qytetet e mëdha e në qendrat e vogla. Kur, në sfondin e aeroportit, uturima e motorëve i kujtonte turmës përcjellëse se një javë e paharrueshme shënonte minutat e fundit, Papa Françesku shfrytëzonte edhe sekondat, për të fiksuar në kujtesë deri hollësitë më të imta.
E turmave, që katër ditë me radhë e rishkruan gjeografinë e Kopakabanës, me pjesëmarrjen e tyre të thellë e gazmore, u dha bekimin e tij apostolik:
“Muitos de vocês vieram como discípulos...
Shumë nga ju erdhën në këtë shtegtim si dishepuj; nuk kam kurrfarë dyshimi se të gjithë tani po nisen si misionarë. Me dëshminë tuaj të gëzimit e të shërbimit bëjeni të lulëzojë qytetërimin e dashurisë. Dëshmoni me jetë se ia vlen të shkrihesh për ideale të mëdha, të vlerësosh dinjitetin e çdo njeriu, të vësh gjithçka në shërbim të Krishtit e të Ungjillit të tij”.
Në këto ditë erdhëm këtu për të kërkuar Jezusin, por është Ai, që na kërkoi i pari, pohoi Papa Françesku; e është Ai, i siguroi të rinjtë, që na e ndez në zemër pishtarin e ri, për ta kumtuar Lajmin e Mirë në të gjitha skajet e skutat e kësaj bote të pafundme, ku jetojmë:
“Continuarei a nutrir uma esperança imensa nos jovens...
Do të vijoj të mbështes një shpresë të madhe mbi të rinjtë e Brazilit e të mbarë botës: përmes tyre, Krishti po përgatit një pranverë të re kudo. Unë i pashë me sytë e mi mugujt e parë të farës së re, që hidhej rreth meje; të tjerë do të gëzohen me korrjen e begatë”.
Papa Françesku rrëfeu edhe ndjetin e lutjes së tij kur, të mërkurën e kaluar, u gjunjëzua para Pajtores së Brazilit në Shenjtëroren e Aparesidës: “Iu luta Marisë ta përforcojë në ju fenë e krishterë, pjesë përbërëse e shpirtit fisnik të Brazilit, e jo më pak, e shumë vendeve të tjera, thesar i kulturës suaj e forcë për të ndërtuar njerëzimin e ri në harmoni e solidaritet:
“O Papa vai embora e lhes diz ‘até breve’...Ky Papë po shkon e, plot mall, ju thotë ‘mirupafshim së shpejti’; e ju kërkon: mos harroni të luteni për të. Ky Papë ka nevojë për lutjen tuaj! Një përqafim të pamasë, të gjithëve. Zoti ju bekoftë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.