2013-07-28 16:09:55

Ndërroi jetë, 99 vjeç, kardinali Tonini: “Jeta? Shpikja më e madhe e Zotit”


Mbrëmë ndërroi jetë kardinali Erzilio Tonini, kryeipeshkëv–nderi i Ravena- Çervies. Ishte kardinali më i vjetër në jetë, që arriti të kremtojë edhe 99-vjetorin e ditëlindjes, më 20 korrikun e kaluar.
I lindur më 1914 në Çentovera të Sangiorgio Piacentino, në një familje fshatare, hyri në seminar 11 vjeç, u shugurua meshtar 22 vjeç, ipeshkëv, 54 vjeç. U krijua kardinal nga Gjon Pali II në vitin 1994, kur sapo i kishte mbushur të tetëdhjetat. Tepër aktiv në botën e komunikimit e të punës baritore me rininë, u bë një nga figurat më të njohura e më popullore të Kishës në Itali.
Me rastin e 95 vjetorit, i intervistuar nga Radio Vatikani, la trashëgim bilancin e jetës së tij të gjatë, duke nisur nga thirrja për rrugën e meshtarisë.
Po kujtojmë, me këtë rast, vetëm një nga përgjigjet. Atë që i dha pyetjes: ‘Si mund ta dëshmojmë fenë në botën e sotme?”:RealAudioMP3

“Nuk është nevoja për shumë përpjekje, mjafton të jesh ai, që je. Besoj se gjëja më e frytshme është të duash, nuk është të mbahesh me të madh, nuk është të japësh urdhëra, nuk është të rrethohesh me luks. Mënyra më e mirë është ajo e vëllazërimit: kur njeriu, që takon, e kupton se po takohet me një vëlla, se ti e çmon, se je aty për të, për t’i dhënë zemër, kur e bën këtë, atëherë e ke shpëtuar tjetrin, pa pasur nevojë për shumë fjalë. Fjalët e shumta janë fukarallëk”.








All the contents on this site are copyrighted ©.