2013-07-28 10:32:03

Mbrëmësorja e lutjes në Kopakabana. Papa të rinjve: ndërtoni një Kishë më të bukur e një botë më të mirë


Ishte ora 19.30 me orën e Brazilit, 00.30 me atë evropiane, kur në Kopakabana nisi takimi i madh i të rinjve me Papën, në emër të Krishtit. Liturgjia e Fjalës, shumëgjuhëshe, u kremtua në dy çaste kryesore: filloi me dialogun ndërmjet Papës e të rinjve e vijoi me Procesionin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe adhurimin e Krishtit Eukaristi. Pjesa e parë u shoqërua me një skenografi, në të cilën morën pjesë dhjetra të rinj. U ngjitën në tribunë edhe të rinj, që u përkasin kongregacioneve e bashkësive të reja françeskane, duke sjellë shporta me lule e me misra, që u përdorën për zbukurimin e elterit. Në vijim u këndua lutja e Shën Françeskut: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, pas së cilës, nisën dëshmitë dhe pyetjet e të rinjve.
E pikërisht historinë e Shën Françeskut të Asizit para të Kryqëzuarit, kujtoi Papa që në fillim të fjalës, drejtuar të rinjve. Djaloshi dëgjon zërin e Jezusit, që i thotë: “Françesk, shko e rindërtoje Kishën time!”. Dalngadalë e kupton se nuk është fjala për t’u bërë murator e për të ndrequr një ndërtesë të ngritur me gurë, por për të dhënë ndihmesën në jetën e Kishës; për t’u vënë në shërbim të Kishës, duke e dashur e duke punuar, që ajo ta pasqyrojë gjithnjë më shumë Fytyrën e Krishtit:
Edhe sot, Zoti vijon të ketë nevojën e të rinjve për Kishën e tij, u bën thirrje ta ndjekin në Kishën e Tij e të jenë misionarë. Po si? Në ç’mënyrë? Duke nisur nga vendi ku ndodhemi, nga Campus Fidei – Ara e Fesë a Fusha e Fesë”.
Po ç’do të thotë ‘arë’ e ‘fushë’? Papa shpjegoi se ara është vendi ku mbillet fara. Shembëlltyra e Jezusit flet për një bujk, që shkoi të hidhte farën në arë; disa prej farëve ranë në rrugë të madhe, në mes të gurëve, të tjerat, ndërmjet ferrave e nuk munden të mbijnë, as të rriten; por disa ranë në tokë të mirë e prodhuan shumë fryte (cfr Mt 13,1-9). Campus Fidei i vërtetë, tha Papa, duke kujtuar emrin me të cilin u pagëzua vendi, ku do të mbahej kjo mbrëmësore, anuluar për shkak të shiut e duke e përdorur emrin simbolikisht, është zemra e secilit nga ju, është jeta juaj. E pikërisht në jetën tuaj dëshiron të hyjë Jezusi, me fjalën e Tij, me praninë e Tij. Ju lutem, lërëni Jezusin e Fjalën e tij të hyjnë në jetën tuaj, të mugullojë, të rritet! Çfarë toke jemi apo duam të jemi? – pyeti në vijim Papa. - Tokë e mirë, jo të krishterë part-time, jo të ‘kollarisur’, jo mësalla me dy faqe, por njerëz të vërtetë, që nuk jetojnë duke ëndërruar lirinë, që të bën skllav të modave e të interesave të çastit. Duhet të synojmë lart, të zgjedhim përfundimisht rrugë, që i japin kuptim të plotë jetës. Jezusi është “rruga, e vërteta, jeta”(Gjn 14,6).
“Së dyti, fusha është vend i stërvitjes. Jezusi na kërkon ta ndjekim për gjithë jetën, të jemi dishepujt e tij, të luajmë në skuadër. Lojtari, kur thirret të bëjë pjesë në një skuadër, duhet të stërvitet, e të stërvitet shumë”.
Kështu është edhe në jetën tonë si dishepuj të Zotit. Jezusi na jep diçka më shumë se Kupa e Botës! Na jep mundësinë e një jete plot fryt e lumturi, na ofron edhe ardhmërinë me Të, një ardhmëri që nuk do të ketë kurrë mbarim. Na dhuron jetën e pasosur! Por na kërkon të stërvitemi. Të jemi përherë ‘në formë’ për t’i përballuar pa frikë të gjitha situatat e jetës, duke e dëshmuar fenë përmes dialogut me Të: përmes lutjes, bisedës së përditshme me Zotin, që na dëgjon gjithnjë; përmes sakramenteve, që na e rrisin në shpirt praninë e Zotit e na bëjnë një me Krishtin; përmes dashurisë vëllazërore, aftësisë për të dëgjuar, për të kuptuar, për të falur, për të mirëpritur, për t’i ndihmuar të tjerët, çdo njeri, pa përjashtuar, pa mënjanuar.
Por fusha është edhe kantier. Papa shpjegoi se kur zemra jonë është tokë e mirë, që e pranon Fjalën e Zotit, kur njeriu përpiqet të jetojë si i krishterë, e ndjen menjëherë se nuk është kurrë vetëm, por pjesë e një familjeje vëllezërish, që përshkojnë të njëjtën udhë. Me Krishtin, jemi pjesë e Kishës, madje bëhemi ndërtues të Kishës e protagonistë të historisë. Në Kishën e Jezusit jemi ne gurët e gjallë! Jezusi na kërkon ta ndërtojmë Kishën e Tij. E jo si kapelë të vogël, që mund të zërë gupthe njerëzish; na kërkon që Kisha e tij e gjallë të jetë aq e madhe, sa të zërë mbarë njerëzimin, të jetë shtëpia e njerëzimit! Krishti na bën thirrje të gjithëve: më thotë mua, të thotë ty: “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!”. Kështu u shpreh Papa Françesku në Mbrëmësoren e lutjes me të rinjtë nga mbarë bota, mbrëmë. “Po prej nga të fillojmë?” pyeti. E, në përfundim, bëri të vetat fjalët e Nënë Terezës, kur e patën pyetur: “Çfarë duhet të ndryshojë në Kishë?”. Me të Lumen, Papa u përgjigj: “Ti dhe unë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.