2013-07-27 09:54:32

Udha e Kryqit me të rinjtë. Papa Françesku: “Në Kryq, gjithë dashuria e Zotit”.


Udha e Kryqit ishte një nga çastet më kulmore të DBR-së. Nga DBR-së e vitit 1984 Kryqi, që ua besoi të rinjve Gjon Pali II, përshkoi të pesë kontinentet, i mbartur mbi supe, nëpër shtigje bote e jete, plot të panjohura e të papritura. Udha e Kryqit me të rinjtë gjatë bregdetit të Kopakabanës, eci mbrëmë mbi gjurmët e dhimbjes e të dashurisë së Krishtit, që ndriçon me dritën e mëshirës, rrugët e njeriut, në çdo vend e në çdo kohë. Në secilin nga stacionet u prek një temë, që pasqyron drejtpërdrejt problemet e rinisë së sotme. Gjatë kësaj Udhe tronditëse u kujtuan disa nga vuajtjet e njeriut, ndërmjet të cilave, sëmundja e vdekja. Askush nuk mund ta prekë Kryqin e Krishtit, tha Papa, pa lënë në të diçka nga vetvetja e pa marrë diçka në jetën e tij.
Tri, pyetjet, që u drejtoi Ati i Shenjtë të rinjve, pjesëmarrës në Udhën, që vijon të shpaloset, pas dymijë vjetësh, kah majat e kalvareve moderne, të ngarkuara me shqetësime, sëmundje, dhimbje, plagë:
“Çfarë latë mbi Kryq, ju, të rinjtë e Brazilit, në këto dy vjet, gjatë të cilave përshkuat me të në shpinë udhët e vendit tuaj?”.
Kjo, pyetja e parë, pasuar nga e dyta:
“Çfarë la Kryqi në shpirtin tuaj?”,
e, së treti,
“Çfarë na mëson ky Kryq për jetën tonë?”.
Për t’i dhënë përgjigje pyetjes së parë, Papa kujtoi një traditë të lashtë të Kishës së Romës: Shën Pjetri Apostull, duke dalë prej qytetit, për të shpëtuar nga persekutimi i Neronit, pa Jezusin, që ecte në drejtim të kundërt dhe e pyeti: “Ku po shkon, o Zot?”. “Po shkoj në Romë, për t’u kryqëzuar përsëri”, u përgjigj Jezusi. E Pjetri e kuptoi menjëherë se duhet ta ndiqte Jezusin me guxim, por sidomos, se nuk ishte kurrë i vetëm në udhë. Jezusi e kishte dashur derisa vdiq mbi kryq.
Përmes Kryqit, Krishti bashkohet, në heshtje, me viktimat e dhunës, që nuk mund të bërtasin më; me njerëzit e pafajshëm, me të pambrojturit, me familjet, që kalojnë çaste të vështira, që qajnë për humbjen e fëmijëve, që vuajnë, duke i parë kah bien pre e parajsave artificiale, si droga. Mbi Kryq, Jezusi bëhet një me të gjithë njerëzit e uritur, në një botë, që vijon të flakë në pleh tonelata ushqimi, bëhet një me atë, që persekutohet për shkak të fesë, të ideve, të ngjyrës së lëkurës! Jezusi bashkohet me shumë të rinj, që e kanë humbur besimin në institucionet politike, sepse shikojnë egoizmin e korrupsionin e tyre, që e kanë humbur besimin në Kishën e deri në Zotin, për shkak të pabesisë së të krishterëve e të shërbyesve të Ungjillit:
“Ai na pret të gjithë me krahë hapur, ngarkon mbi supe kryqet tona e na thotë: ‘Zemër! Nuk e mbart vetëm kryqin tënd! E mbart edhe unë me ty! E unë e munda vdekjen e erdha të të jap shpresë, të të jap jetë”.
Pyetjes së dytë: “Çfarë la kryqi në shpirtin e atyre, që e panë dhe e prekën?” e “Çfarë lë në zemrën e secilit nga ne?”, Papa iu përgjigj:
“Besimin e patundur të dashurisë së Zotit për ne. Një dashuri tepër e madhe, që hyn në mëkatin tonë, hyn në vuajtjen tonë, e na jep forcë ta durojmë, hyn deri në vdekjen tonë, për ta mundur e për të na shpëtuar:
Ai na jep shpresë e jetë: e shndërroi Kryqin nga mjet i urrejtjes, i disfatës, i vdekjes, në simbol të dashurisë, të fitores, të jetës. Nuk ka kryq, i madh a i vogël qoftë, në jetë, që Krishti të mos e mbartë së bashku me ne”.

Së fundi, pyetja e tretë: “Çfarë na mëson në jetën tonë kryqi?”. Papa shpjegoi se Krishti na fton ta lëmë veten të thithemi nga kjo dashuri. Posaçërisht i fton ata që vuajnë, që kanë nevojë për ndihmë, të dalin nga vetvetja, për të shkuar kah Ai e për t’i shtrënguar dorën, me shenjat e dukshme të gozhdave! Edhe ne mund të jemi si Pilati, që nuk ka guxim të shkojë kundër rrymës, për ta shpëtuar jetën e Jezusit. E lan duart:“Ndërsa Kryqi i Krishtit na mëson të jemi si Cireneu, që e ndihmon Zotin ta mbartë këtë dru të rëndë; si Maria e gratë e tjera, që nuk kanë frikë ta shoqërojnë Jezusin deri në fund të fundit, me dashuri, me dhëmbshuri. ‘E tii pyeti të rinjtë, e na pyet ne të gjithëve, Papa - Si je ti? Si Pilati? Si Cireneu. Apo si Maria?”.







All the contents on this site are copyrighted ©.