2013-07-27 16:06:49

Papa Françesku klasës drejtuese të Brazilit: “Kultura e takimit, vizioni humanist i ekonomisë e i politikës sigurojnë përparimin e popujve”


Ati i Shenjtë Françesku u takua, në teatrin e qytetit, me klasën drejtuese të Brazilit. Të pranishëm, politikanë, diplomatë, afaristë, përfaqësues të kulturës e të artit.
Në fillim të fjalimit, citoi mendimtarin brazilian Alceu Amoroso Lima, i cili thotë: “Ata që, në një Komb, kanë role me përgjegjësi, janë të thirrur ta përballojnë të ardhmen me syrin e qetë të njeriut, që di ta shikojë të vërtetën”. E më pas, në përkim të plotë me stilin e tij, Papa Françesku u ndalua mbi tre aspekte të këtij shikimi, që duhe të jetë: i qetë, i kthjelltë, i urtë.
Aspekti i parë shpreh origjinalitetin e traditës kulturore, i dyti, përgjegjësinë solidare për ndërtimin e ardhmërisë, i treti, dialogun konstruktiv, për të përballuar të sotmen.
Lidhur me aspektin e parë, Papa nxiti “të vlerësohet origjinaliteti dinamik, që karakterizon kulturën braziliane”, me aftësi të jashtëzakonshme për të integruar elemente të ndryshme. Papa theksoi mënyrën e krishterë për nxitjen e së mirës së përbashkët. E këtu, nënvizoi, puqen feja e arsyeja, përmasa fetare e aspektet e ndryshme të kulturës njerëzore: arti, shkenca, puna, letërsia. Theksoi, më pas, forcën e krishterimit, që bashkon transhendencën e mishërimin, rigjallëron gjithnjë mendimin e jetën, përballë zhgënjimit e humbjes së shpresave, që pushtojnë zemrat e rrugët.
Elementi i dytë, që vuri në dukje Ati i Shenjtë, ishte “përgjegjësia shoqërore”. Ardhmëria, nënvizoi Papa, kërkon nga ne një vizion humanist të ekonomisë dhe një politikë, që të realizojë gjithnjë më mirë pjesëmarrjen e njerëzve, të shmangë elitarizmin e të çrrënjosë varfërinë. Kush ka rol udhëheqës, duhet të ketë edhe ide e objektiva shumë konkrete e të kërkojë mjete paqësore për t’i vënë në jetë. Por mund të lindë edhe rreziku i zhgënjimit, i hidhërimit, i indiferencës, kur ëndrrat nuk realizohen. Në këtë kuptim, shpjegoi Papa, virtyti i gjallë i shpresës të shtyn të shkosh gjithnjë përpara, t’i vësh të gjitha energjitë e aftësitë në shërbim të njerëzve për të cilët punon, duke pranuar rezultatet, duke krijuar kushte për zbulimin e rrugëve të reja e duke arritur, edhe pa u kujtuar, rezultate, por duke e mbajtur gjithnjë gjallë shpresën.
Prej këndej, Ati i Shenjtë shpjegoi se:
“Njerëzit, që prijnë, dinë të zgjedhin ndërmjet mundësive, më të drejtën, pasi t’i kenë studiuar mirë të gjitha, duke u nisur nga përgjegjësia e tyre dhe nga interesi për të mirën e përbashkët”.
Në përgjegjësinë tonë, ndonëse të kufizuar, pohoi Papa, ka rëndësi të kuptojmë gjithë realitetin, duke e vëzhguar, duke e peshuar, duke e vlerësuar, për të marrë, pastaj, vendimet e çastit, me syrin drejt së ardhmes e duke reflektuar mbi pasojat e vendimeve. Kush vepron me përgjegjësi, e vë veprimtarinë e vet para të drejtave të të tjerëve e para gjykimit të Zotit. Ky kuptim etik duket sot si sfidë historike e pashembullt, përtej racionalitetit shkencor e teknik. Në situatën aktuale imponohet edhe detyrimi moral, me përgjegjësi shoqërore e thellësisht solidare.
Së treti, Papa kujtoi ‘dialogun konstruktiv’. Ndërmjet indiferencës egoiste e protestës së dhunshme, shpjegoi, ka një rrugë gjithnjë të mundshme: dialogu. Dialogu ndërmjet breznive, dialogu me popullin, aftësia për të dhënë e për të marrë, duke i lënë gjithnjë të hapuara rrugët e së vërtetës. Një vend zhvillohet, kur në të dialogohet, kur dialogojnë në mënyrë konstruktive pasuritë e ndryshme kulturore: kultuara popullore, kultura ekonomike, kultura familjare e kultura e mjeteve të komunikimit. Nuk mund të përfytyrohet ardhmëria e shoqërisë, pa një kontribut të fuqishëm të energjive morale:
“Themelor është kontributi i traditave të mëdha fetare, që luajnë rolin e frytshëm të tharmit në jetën shoqërore e të gjallërimit, në demokraci. E bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve të ndryshme e favorizon fuqimisht laiciteti i shtetit i cili, pa bërë të vetin asnjë qëndrim konfesional, respekton e vlerëson praninë e faktorit fetar në shoqëri, duke favorizuar edhe shprehjet e tij konkrete”.
Papa e përfundoi fjalimin duke kujtuar se e vetmja mënyrë për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, të jetës, të shoqërisë, e vetmja mënyrë për të siguruar përparimin e jetës së popujve, është kultura e takimit, kulturë nga e cila të gjithë kanë diçka të mirë për të dhënë e të gjithë mund të marrin diçka të mirë, si shkëmbim. Takimi u mbyll me një shfaqje muzikore.







All the contents on this site are copyrighted ©.