2013-07-27 16:24:08

Papa bisedon me ipeshkvijtë e kardinajtë e Brazilit: “Forca e Kishës fshihet në ujërat e thella të Zotit”.


Pas këtij takimi, Ati i Shenjtë shkoi në Kompleksin e Shën Joakimit, seli e kryeipeshkvisë së Rios, ku u takua me ipeshkvijtë, të cilëve u drejtoi fjalën, duke i porositur që në fillim, ta shikojnë Aparesidën si çelës për të kuptuar gjithë misionin e Kishës. Kujtoi peshkatarët e varfër, që kishin shumë uri e pak bukë, në fillim, Papa, duke theksuar se ata u ngjasin të varfërve të të gjitha kohëve, nevojtarë të përhershëm për bukën e përditshme. E pastaj shpjegoi gjetjen në lumë të ikonës së copëtuar mariane. Peshkatarët kapën në rrjeta një herë kokën, pastaj trupin. Ishte simbol i arritjes së Zotit mes njerëzve, në një mënyrë të re, në një vend të ndarë nga muri i turpshëm i skllavërisë. E mesazhi i ri i Zotit për të ringjitur atë, që ishte e copëtuar, për të bashkuar, ç’ishte e ndarë. Peshkatarët e gjetën dhe e çuan në shtëpi misterin:
“Ndoshta e kemi reduktuar mënyrën si flasim për misterin, në shpjegim racional: duke harruar se ndërmjet njerëzve misteri hyn nga zemra. Misteri hyn përherë në shtëpitë e të varfërve. Aty ka gjithnjë vend për Zotin”.
Duhet të mësojmë nga sjellja e peshkatarëve, nënvizoi Papa, për të qenë Kishë, që i bën vend misterit të Zotit.
Në vijim, duke krahasuar barkën e peshkatarëve, me atë të Kishës, Ati i Shenjtë kujtoi:
“Rrjetat e Kishës janë të brishta, barka e saj nuk e ka fuqinë e transatlantikëve, që çajnë valët e oqeaneve. Po Zoti është dukur gjithnjë përmes mjeteve të varfëra, sepse është ai vetë, që vepron. Rezultati i veprimtarisë baritore nuk mbështetet mbi burimet e pasura, por mbi frymën krijuese të dashurisë. Forca e Kishës fshihet në ujërat e thella të Zotit”.
Ati i Shenjtë vlerësoi, pastaj, veprimtarinë e Kishës në Brazil e cila, nga 12 dioqezat që kishte gjatë Koncilit II të Vatikanit, sot ka arritur të ketë në 275 Qarqe Kishtare, duke i shumëzuar ndjeshëm “pesë bukët e dy peshqit”, në lidhje të ngushtë me Kishën e Romës. Kësaj Kishe, Françesku i propozoi ikonën e Emausit, si shembull për leximin e së sotmes e të së ardhmes:
“Sot na duhet një Kishë e aftë për të shoqëruar, për të shkuar përtej dëgjimit të thjeshtë; një Kishë që shoqëron udhës, duke u vënë për udhë, së bashku me njerëzit”.
Një Kishë e aftë, që e kupton se arsyet për të cilat ndokush largohet prej saj, përmbajnë edhe arsyet për një kthim të mundshëm. Një Kishë, që i bën vetes pyetjen: “A jemi akoma Kishë e aftë për të ngrohur zemrat? Kishë e aftë për të prirë drejt Jeruzalemit? Për të rishoqëruar, në kthim kah shtëpia?”. Papa nënvizoi, në vijim, se njeriu tërhiqet gjithnjë nga gjërat e shpejta: interneti i shpejtë, autot e shpejta, avionët e shpejtë, marrëdhëniet e shpejta. E megjithatë e ndjen fort nevojën për qetësi, për t’u ndaluar një çast, për ta ngadalësuar hapin. Kisha, a di akoma të jetë e ngadalshme? Për të dëgjuar, për të duruar, për të rikrijuar? Apo është pushtuar edhe ajo nga furia e frytshmëria? Na duhet një Kishë, që është ende e aftë për t’i prirë kthimit në Jeruzalem! Për t’u ridhënë përsëri qytetarinë shumë bijve të saj, që dynden si në Librin e Daljes, tha Papa.
Më pas Ati i Shenjtë foli për sfidat kryesore të Kishës në Brazil, si krijimi i një rrjeti dëshmish, që flasin me një zë të vetëm, në pasurinë e larmive; fryma e përhershme e misionit dhe e kthesës në jetën baritore. Theksoi përsëri mëshirën, në një botë njerëzish të plagosur, që kanë nevojë për mirëkuptim, falje, dashuri e jo më pak, për edukim, shëndet, paqe shoqërore!
Pastaj, dreka. Ishte ora 13.00 me orën vendase, 18.00, me atë evropiane.
Dita e gjashtë e Papës në Brazil iu afrua njërit nga kulmet: Mbrëmësores së lutjes me të rinjtë, që do të fillojë në orën 19. 30 me orën vendase, në sa në Evropë sapo do të ketë kaluar mesnata. Për shkak të shiut që s’ pushoi këto ditë në Rio, u dëmtua rëndë tribuna monumentale, ku do të kremtoheshin dy ngjarjet kryesore të DBR-së: Mbrëmësorja e lutjes dhe Mesha përfundimtare. Prej këndej, dy ngarjet e mëdha do të kremtohen në sheshin e Kopakabanës, e jo në Guaratiba. Vendimi u mor pas një shiu të rrëmbyer, i cili e përmbyti atë, që u quajt “Campus Fidei”, shndërruar në një det balte. Zona e Guaratibës mund të zinte mbi dy milion vetë. Kështu, dy ngjarjet e mëdha do të kremtohen atje, ku u kremtua Mesha e hapjes, në sa shumë grupe shtegtarësh vijojnë të arrijnë në Rio, pikërisht për të qenë pranishëm në kulmet e festës rinore, ku priten 2 milion vetë.
Papa do të qëndrojë mes të rinjve deri në orën 21.00 me orën vendase, 02.15 me atë evropiane, pastaj do të kthehet në selinë e Sumaresë.
Të rinjtë do ta presin në Kopakabana, për Meshën e së dielës, me të cilën do të përfundojë edhe ku takim i madh botëror, që u kremtua nën një shi të pareshtur e që, megjithatë, ishte si rreze dielli përmbi horizontet shpesh të ngrysura të mbarë botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.