2013-07-26 17:20:55

Kisha e Papës Françeskut fiton zemrat e të rinjve të Amerikës së Jugut


Breznitë e reja të Kontinentit e vlerësojnë si prijës shpirtëror, shoqëror e kulturor.
Është rastësi që DBR-ja e Papës Françeskut po kremtohet në Amerikën Latine. Por rastësi profetike. Vizita në Lampeduzë, në zemër të Mesdheut të plagosur rëndë dhe zbarkimi në Jugun e Amerikës, në kontinentin e varfërisë e të plagëve shoqërore, shkojnë krah për krah. Kjo është bota, së cilës Papa dëshiron t’i japë një fytyrë të re.
Udhët e Rios po i mbush përplot Kisha, e thirrur, siç pati shkruar Bergolio në dokumentin përfundimtar të takimit të ipeshkvijve amerikanojugorë, mbledhur në Aparesidë, në vitin 2007, për të braktisur pa dhimbje gjithçka të vjetëruar, gjithçka që nuk ndihmon për transmetimin e fesë. Është thirrje ‘për të dalë jashtë’, kjo e Bergolios, për ta çliruar Kishën nga mbyllja në vetvete, nga siguritë e veta e për ta bërë të fundmen ndërmjet të fundmëve. Thuhet se ishte pikërisht teksti i Aparesidës ai, që i hapi udhën kësaj papnie. E do të ishte pikërisht kështu, nëse është e vërtetë që, gjatë Kongregacioneve të përgjithshme, paraprijëse të Konklavit, ai foli për një Kishë, që duhet të depërtojë kudo, deri në skajet e skutat më të fshehta e jetës, deri tek njeriu i vetëm me vetveten e pa Zotin. Të dalësh nga vetvetja, do të thotë të marrësh mbi shpinë të gjitha problemet e njeriut e të njerëzimit, të marrësh kryqin e Krishtit!
Ishte kjo, shtytja më pozitive, e teorizuar nga teologjia e çlirimit, që mori dhenë pikërisht në Kontineitn jugamerikan në vitet pas Koncilit. E Papa dëshiron që të rinjtë ta bëjnë të vetën: Krishti duhet të ecë përsëri në udhët e botës. E bota duhet ndryshuar, edhe duke ndotur duart, siç pati bërë Shën Françesku, alter Christus, disa shekuj para se në fronin e Shën Pjetrit të ulej i pari papë argjentinas e i pari Françesk.Pati thënë Bergolio gjashtë vjet më parë në Aparesida: “Ta kremtosh Eukaristinë bashkë me popullin, nuk është njëlloj si ta kremtosh ndërmjet nesh, ipeshkvijve, veçmas. Kjo na bën të kuptojmë thellësisht se u përkasim njerëzve tanë, i përkasim Kishës, që shtegton si popull i Hyjit, e prirë nga ne, ipeshkvijtë shërbëtorët e saj. Dokumenti përfundimtar i Aparesidës, shpjegonte Papa i ardhshëm, për herë të parë nuk nisej nga një tekst bazë, i parapërgatitur, por nga një dialog i hapur, i gjallë, për t’i dhënë Kishës mendimin, që vinte nga poshtë, nga besimtarët e thjeshtë, deri në skutat e viseve e të jetëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.