2013-07-25 12:11:05

Papa Françesku në spitalin Shën Françesku: “Duhet më shumë drejtësi, jo liberalizim i drogave”.


Nga Shenjtërorja e Aparesidës, në “shenjtëroren e vuajtjes njerëzore”: kështu e quajti Papa Françesku spitalin 'Shën Françesku i Asizit' në Rio-De-Zhanéjro, specializuar për mjekimin e alkoolistëve e të droguarve. I fortë, dënimi i “tregtarëve të vdekjes” e dhe më i fortë qortimi i atyre, që mendojnë se përhapja e drogës edhe e alkoolit mund të kufizohen duke i liberalizuar.
Përqafimet me të sëmurët, përshëndetjet, shtrëngimet e duarve, afërsia e ngrohtësia, ishin karakteristikat kryesore të kësaj vizite në Spital, përfshirë në programin e shtegtimit me dëshirën e vetë Papës.
Për ta përshëndetur Atin e Shenjtë në mjedisin spitalor ishte edhe delegacioni i njërës nga qendrat e rehabilitimit të të droguarve e të alkoolistëve, që quhet “Projekti Betania” e që punon ndërmjet njerëzve të braktisur në favelat e “Qytetit të Hyjit”, në rrethinat e metropolit karioka. Projekti, në këtë skutë bote, lindi falë frymëzimit të një murgeshe braziliane, motër Elsi Zerma-s. Murgesha njihet si engjëll i lagjeve të lëna pas dore. E quajnë edhe Nënë Tereza e favelave, sepse në këto lagje jetojnë të varfërit më të varfër të Rios. Një univers varfërie e përjashtimi, ku dy vjet më parë policia e ndalonte hyrjen e njerëzve normalë. Ndërsa sot në mes të të varfërve takon vazhdimisht murgeshat paoline, Dishepulle të Përshpirtshme të Mësuesit Hyjnor, që shkojnë për të adhuruar Jezusin Eukaristi, në fytyrën e të varfërve.
Papa e quajti spitalin, shenjtërore të vuajtjes njerëzore e kujtoi se kur Shën Françesku përqafoi të gërbulurin, e kuptoi se nuk ishin sendet materiale, pasja, idhujt e botës, pasuria e vërtetë. Kjo pasuri nuk mund ta falë gëzimin, që nuk shitet, as nuk blihet. Gëzimi i vërtetë gjindet udhëkryqeve të botës, ku Krishti të pret, për t’i shërbyer, të pret me fytyrën e tjetrit, të vëllait, mikut, të varfërit, të droguarit, pijanecit, shpresëhumburit. Të pret me fytyrën e të gërbulurit që, për Shën Françeskun e Asizit, qe ‘ndërmjetësues i dritës’.
Spitali i Shën Françeskut është vend ku mjekohen të droguarit, e Ati i Shenjtë deshi t’i përqafonte një për një të pranishmit, si korp i Krishtit, duke u lutur që Zotit ta mbushë me kuptim e shpresë udhën e tyre, e edhe udhën e tij. Në Brazil e në mbarë botën ka shumë situata, siç është lufta kundër vartësisë nga droga, që kërkojnë vëmendje, dashuri, theksoi Papa e vijoi:
“São tantos os ‘mercadores de morte’ que seguem a lógica do poder...
Sa tregtarë të vdekjes ndjekin logjikën e pushtetit e të parasë me çdo kusht! Tregtimi i drogës favorizon dhunën, mbjell dhimbje e korr vdekje”.
Prandaj Papa kërkoi nga ana e mbarë shoqërisë një akt të guximshëm, me bindjen se liberalizimi i përdorimit të drogës, për të cilin flitet në shumë vende të Amerikës Latine, nuk mund ta kufizojë përhapjen dhe ndikimin e vartësisë nga ky mjet i vdekjes. Për të shpëtuar nga droga, duhen zgjidhur problemet, që çojnë në përdorimin e saj, duke i edukuar të rinjtë me vlerat e jetës së përbashkët, duke i shoqëruar në vështirësi e duke u dhënë shpresë për të ardhmen:
“Ta përqafosh të droguarin, nuk mjafton! Duhet t’i japim dorën atyre, që kalojnë çaste të vështira, që kanë rënë në honin e drogës. Ndërsa atyre, që nuk kanë më guxim të ecin në rrugën e çlirimit, u themi: ‘Do të gjesh dorën e shtrirë të atij, që dëshiron të të ndihmojë, por askush nuk mund t’i ngjitet së përpjetës në vendin tënd.
Você é o protagonista da subida; esta é a condição imprescindível!".
Më pas Papa u kujtoi të gjithë atyre, që kanë dëshirë të kapin përsëri majat e jetës, me vullnetin e njeriut të etur për rifitimin e lirisë së shpirtit e të korpit, se nuk janë, as nuk do të jenë kurrë vetëm:
“Kisha e shumë njerëz janë pranë jush. Mos lejoni t’jua rrëmbejnë shpresën! Të bëhemi të gjithë mbartës të shpresës! Këtu, në këtë spital, të bëhet konkrete shembëlltyra e Samaritanit të Mirë. Këtu nuk ka indiferencë, por vëmendje, nuk ka çkujdesje, por dashuri”.
Shoqata e Shën Françeskut dhe Rrjeti i Mjekimit, kujtoi në vijim Ati i Shenjtë, na mësojnë të përkulemi mbi atë, që kalon çaste të vështira, sepse në të shikohet fytyra e Krishtit, sepse në të është korpi i Krishtit, që vuan.
Në përfundim Papa ritheksoi me forcë:
“Kisha nuk është larg mundimeve tuaja, por ju shoqëron me dashuri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.