DBR-së: në Kopakabana një milion të rinj përqafojnë Papën Françesku
Afrohej mesnata në Evropë, nësa Kopakabana ndriçohej ende nga dielli i përvëluar i
pasdites së korrikut e Papa arrinte në mes të të rinjve, në festë. Jepej një shfaqje,
titulluar “Rio da Fé”, në të cilën 150 të rinj paraqitnin artistikisht jetën e përditshme
të “Qytetit të Mrekullueshëm”. Pas këngëve tradicionale dhe përshëndetjes së Kryeipeshkvit
të Rios, nisi kremtimi i Liturgjisë.“Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu”(Lk
9,33) ishte lajtmotivi i liturgjisë, në formën e kremtimit të Fjalës së Zotit,
shoqëruar me fronëzimin e figures së Zojës së Aparesidës. Njëri nga kulmet arriti,
kur Papa u drejtoi të rinjve përshëndetjen e tij, duke kujtuar Ditën e parë Botërore
të Rinisë në nivel ndërkombëtar, kremtuar më 1987, në Argjentinë, fjalët plot shpresë
drejtuar të rinjve nga Gjon Pali II, besnikërinë ndaj Krishtit. Treni i kësaj
DBR-së erdhi nga larg, pasi përshkoi mbarë Kombin brazilian, duke ndjekur etapat e
projektit “Bota fé”- “Vëre fenë”. Tani arriti në Rio-de-Zhanéjro, tha Papa, dhe me
sytë drejtuar nga shtatorja vigane e Krishtit, theksoi: “Nga Korkovado, Krishti
Shëlbues na përqafon e na bekon. Duke parë detin, plazhin e ju të gjithë, kujtoj çastin
kur Krishti i ftoi dishepujt e tij të parë ta ndiqnin mbi bregun e liqenit të Tiberiades.
Sot Jezusi vijon të na bëjë thirrje: ‘Dëshiron të jesh dishepulli im? Dëshiron të
jesh miku im? Dëshiron të jesh dëshmitar i Ungjillit tim?’. Në zemër të Vitit të Fesë,
këto pyetje na ftojnë ta përtërijmë impenjimin tonë, si të krishterë”. Familjet
dhe bashkësitë tuaja ju transmetuan dhuratën e madhe të fesë. Krishti u rrit në ju.
E sot erdha këtu pikërisht për t’jua përforcuar këtë fe, fenë në Krishtin e gjallë,
që banon në ju, por erdha edhe për t’u përforcuar nga entuziazmi i fesë suaj, tha
Papa e më pas iu drejtua edhe të gjithë atyre, që ishin të lidhur me Rion përmes radios,
televizionit e internetit: “Mirë se erdhët në këtë festë të madhe! Në të
katër anët e botës njëheresh, shumë të rinj janë mbledhur për ta jetuar bashkë këtë
çast; të ndjehemi të bashkuar njëri me tjetrin në gëzim, në miqësi, në fe. E të jeni
të sigurt: zemra ime prej bariu ju rrok të gjithëve me dashuri universale! Krishti
Shëlbues, nga maja e malit Korkovado, ju merr në krahë në qytetin e mrekullueshëm
të Rios”. Ati i Shenjtë falënderoi, pastaj, autoritetet shtetërore kombëtare
e lokale dhe të gjithë ata, që punuan për organizmin e DBR-së, duke e bërë realitet
këtë kremtim të unitetit, të fesë, të vëllazërimit. Më pas, pesë të rinj, simbol
i pesë kontinenteve, i dhanë Papës përshëndetjen, në emër e qindra mijëra të rinjve,
mbledhur rreth tij, për Ditën e tyre botërore. Papa iu përgjigj me një fjalim,
që kishte në qendër Jezusin. Nëse nga njëra anë, theksoi, është Jezusi që na mikpret,
nga ana tjetër jemi ne, që duhet ta mikpresim, duke e dëgjuar fjalën e Tij. Pikërisht
duke e mikpritur Jezusin, Shpirti Shenjt na shndërron e na e ndriçon udhën drejt së
ardhmes. Papa kujtoi edhe shtegtimin e dy simboleve të DBR-së: Kryqit e Ikonës
së Zojës, titulluar “Bota fé”- “Vendose fenë’ dhe shpjegoi: “Kur përgatitet një gjellë
e mirë, ti i shtie kripë, vaj. Shtjerja, prandaj fenë jetës sate, e ajo do të ketë
shije të re, do të ketë një busull, që tregon drejtimin; shtjeri jetës shpresë, shtjeri
dashuri. Vendose në të Krishtin, e jeta jote do të jetë plot me dashurinë e tij, plot
me fryte”. Mbi kë mund ta mbështesim besimin tonë? Mbi vetveten? Mbi sendet, që
na rrethojnë? Apo mbi Krishtin? - pyeti Papa: “Tundohemi ta vëmë veten në
qendër të botës, të besojmë se mund ta ndërtojmë vetë jetën tonë, se mund ta bëjmë
të lumtur me pasje, para, pushtet. Por nuk është ashtu! Sigurisht pasja, paratë, pushteti
mund të të japin një çast dehjeje, mund të të shtyjnë ta gënjesh veten se je i lumtur,
po në fund, janë ata, që të pushtojnë e të shtyjnë të kesh gjithnjë më shumë, pa u
ngopur kurrë”. “Vendose Krishtin në gjithçka!”. Feja bën revolucion në
jetën tonë, revolucion, që mund ta quajmë kopernikian, sepse na heq nga qendra e botës
së vogël e na rikthen tek bota e madhe e Zotit, tek qendra e të gjitha sendeve. Në
dukje asgjë nuk ndryshon. Ndryshimi ndodh në thellësitë e vetvetes. Jeta jonë shndërrohet,
mënyra e të menduarit dhe e të vepruarit përtërihet, në ne nis të mendojë e të veprojë
Jezusi, Zoti vetë. Më pas Papa shtoi edhe: “Në Vitin e Fesë, kjo DBR-së është
pikërisht dhuratë, që na jepet për t’iu afruar më shumë Zotit, për të qenë dishepujt
e Tij e misionarët e Tij, për ta lënë që të na e përtërijë jetën: “Vendose
Krishtin’ në jetën konkrete: Ai të pret në takimin me Eukaristinë, Sakramentin e pranisë
së Tij, të flijimit të Tij, të dashurisë së Tij; e edhe në takimin me humanitetin
e shumë të rinjve, që të pasurojnë me miqësinë e tyre, të inkurajojnë me dëshminë
e tyre të fesë, të mësojnë gjuhën e dashurisë së krishterë, të mirësisë, të shërbimit.
Edhe ti, e dashur e re, i dashur i ri mund të jesh dëshmitar gazmor i dashurisë së
Krishtit, dëshmitar guximtar i Ungjillit të Tij, për të sjellë në botën tonë një rreze
drite”.