Shpallja e Hyrietit – hap drejt pavarësisë së Shqipërisë.
Më 24 korrik 1908, turqit e rinj shpallën kushtetutën apo Hyrietin (lirinë),
në të cilën shpalleshin liritë e të drejtat, në të gjithë Perandorinë Osmane. Kjo
ngjarje në trevat shqiptare u prit me gëzim e entuziazëm nga gjithë populli, që vuante
prej shekujsh nën sundimin e autokracisë së sulltanëve. Në manifestimet që shpërthyen
në mënyrë spontane në qytete të ndryshme të vendit, nën parullat e përhapura në atë
kohë “liri, barazi, vëllazëri dhe drejtësi”, populli shprehu solidaritetin me revolucionin
dhe kushtetutën. Të pritur me gëzim nga populli, zbritën nga malet në qytete luftëtarët
e lirisë, çetat kryengritëse, që kishin nisur luftën kundër tiranisë së sulltanit
për çlirimin e Shqipërisë. Drejtuesit dhe shumë veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare shpresonin se, me shpalljen e kushtetutës, shqiptarëve dhe gjithë kombësive
të shtypura do t’u siguroheshin liritë politike e barazia, të premtuara nga turqit
e rinj. Vetëm disa përfaqësues konservatorë të parisë e të klerit të lartë myslimanë,
që merrnin pensione e shpërblime nga sulltani, e pritën shpalljen e kushtetutës në
mënyrë të ftohtë e të përmbajtur. Manifestime të mëdha u mbajtën më 24-29 korrik
në qytetet kryesore të Shqipërisë së Jugut, të Mesme, si edhe në Shkodër e në qytetet
e Kosovës. Gjatë këtyre mitingjeve populli përshëndeti shpalljen e kushtetutës dhe
shprehu njëherazi besnikërinë ndaj Shqipërisë dhe dashurinë për gjuhën shqipe. Në
shumë nga këto qytete ushtarët turq vëllazëroheshin me luftëtarët e çetave. Në
këto manifestime populli shfaqi gjithashtu aspiratat e tij kombëtare. Shpallja e kushtetutës
u kuptua si shpallja e lirisë dhe e të drejtës së vetëqeverisjes së Shqipërisë. Qysh
në ditët e para pas fitores së revolucionit, në shumë qytete, si në Vlorë, Krujë,
Durrës, Tiranë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Kaçanik etj., populli me nismën e
vet filloi të dëbonte nëpunësit e aparatit të vjetër administrativ, mutesarifët, kajmekamët,
gjykatësit, komandantët e xhandarmërisë, të policisë etj., dhe bëri përpjekje për
të marrë pushtetin në duart e veta, duke krijuar komisione që kryenin funksionet e
organeve të vetëqeverisjes, pajtonin gjaqet dhe mbanin rregullin e qetësinë. Shkupi
e kremtoi shpalljen e kushtetutës më 25 korrik, në rrethana të veçanta, i rrethuar
nga forcat e këmbësorisë e të artilerisë turke, që u ngarkuan të ndalonin hyrjen në
qytet të katër mijë fshatarëve të armatosur, të cilët donin të shpallnin autonominë
e Shqipërisë me qendër në Shkup. U lejuan të hynin në qytet vetëm disa dhjetëra nga
prijësit e kryengritësve shqiptarë, që u pritën me gëzim nga populli. Gjithsesi shumë
shpejt shqiptarët do ta kuptonin se liria nuk dhurohet, por fitohet.