Papa në Shenjtëroren e Zojës së Aparesidës në lutje për DBR-së
Sot përPapa rifilluan impenjimet e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë në Rio-de-Zhanéjro.
Paradite Ati i Shenjtë Françesku shkoi në Shenjtëroren e Zojës së Aparesidës, një
nga qendrat më të rëndësishme të devocionit marian në botë, ku kryesoi Meshën Shenjte.
Pas rikthimit në Rio, Papa do të vizitojë spitalin kushtuar Shën Françeskut të Asizit.
Ndërkaq dje në Rio nisi një shi, që vijoi gjithë ditën, por pa mundur t’i pengojë
më se 500 mijë të rinj të mblidhen rreth imzot Tempestës, kryeipeshkëv i qytetit,
për Meshën e hapjes së DBR-së, në skenën mahnitëse të plazhit të Kopakabanës. Si zbriti
nata, tribuna vigane, mbi të cilën lartohet Kryqi, u ndriçua me të gjitha ngjyrat
e flamurit brazilian. E pikërisht fryma karioka e karakterizoi gjithë liturgjinë. Këngët,
valëvitjet e flamujve të të gjitha vendeve të botës dhe festa, që i parapriu kremtimit
solemn, ia lanë vendin lutjes, sapo arriti Kryqi dhe figura e Zojës së DBR-së, mbartur
me procesion nga të rinjtë e pesë kontinenteve. Para Meshës të pranishmit u lutën
për të rinjtë e papunë, për viktimat e një diskoteke braziliane të djegur, për masakrimin
e fëmijëve të rrugës në Kandelaria e për të renë, që vdiq aksidentalisht në Guajanën
franceze, në sa ishte për udhë drejt Rios. Në homeli, imzot Tempesta, duke u përqendruar
tek tema e DBR-së, i ftoi të rinjtë të jenë misionarë e u kujtoi se: “Nesta
semana, o Rio se torna o centro da Igreja, viva e jovem... Rio këto
ditë është bërë qendra e Kishës së gjallë e të re!”. E ndërsa të rinjtë
ndiqnin me devocion Meshën në Rio, Papa, shpirtërisht pranë tyre, para ekranit të
televizonit, në selinë e tij të Sumaré-së, u prek thellësisht për pjesëmarrjen që,
sigurisht, do të ishte shumë më e madhe, nëse nuk do të kishte rënë aq shumë shi,
shoqëruar edhe me një black-out në metropolitanën e Rios, që i pengoi shumë të rinj
të arrinin në Kopakabana.