2013-07-24 19:01:57

Papa në Aparesidë u kërkon të rinjve të shpresojnë, të befasohen nga Zoti e të jetojnë me gëzim


“Na trego Jezusin”: kur Kisha ka nevojë për Krishtin troket gjithnjë në portën e Nënës së Tij, tha Papa Françesku në homelinë e meshës mbajtur sot në shenjtëroren e Aparesidës, vizituar çdo vit nga 7 milion shtegtarë. Prej Zojës, nënvizoi, çdo besimtar mëson si të bëhet dishepull i vërtetë. Prandaj të krishterët shkojnë në mision gjithnjë në gjurmët e Shën Marisë. Ky është edhe kuptimi i Meshës dhe i pranisë së Atit të Shenjtë në shenjtëroren e Zojës së Aparesidës, ku Papa mbërriti me avion e pastaj me helikopter deri në Bazilikë, në orën 15.30, sipas orës evropiane. Fillimisht, Horhe Mario Begolio u ndal për disa minuta në lutje në kapelën e 12 apostujve, ku ndodhet shtatorja e vogël e Pajtores së Brazilit, Virgjërës “Aparecida”, kapur nga rrjetat e peshkatarëve në lumë, në vitin 1717. Hoqi syzet e ndjenji në këmbë në lutje. Pastaj, preku tekën ku ruhet figurja marjane dhe vuri një buqetë lulesh ngjyrë portokalli në këmbët e Zojës, i ndjekur nga duartrokitjet e fuqishme të besimtarëve të pranishëm.
Gjatë homelisë së meshës, duke kujtuar se ditën pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, shkoi për t’u lutur në Bazilikën e Zojës së Madhe në Romë, Papa Françesku tha se në Aparesidë, i lutet Shën Marisë për mbarëvajtjen e Ditës Botërore të Rinisë. “Nënë e Aparesidës, - u lut Papa edhe në kapelën e shenjtërores, para meshës - i lëshoj në duart tua e i sjell te Ati, të rinjtë tanë e tuajt, e Ditën e tyre Botërore”.
Ati i Shenjtë trokiti në portën e Zojës, që ajo t’i ndihmojë barinjtë e Popullit të Zotit, prindërit dhe edukatorët për t’u transmetuar të rinjve ato vlera, të cilat i bëjnë protagonistë për një botë më të drejtë, më solidare e më vëllazërore. Tre, qëndrimet e nënvizuara nga Papa për ta përmbushur këtë detyrë. Së pari, të mbahet gjallë shpresa:
“Zoti ecën përkrah nesh. Ai është shpresa jonë, nuk na braktis kurrë. Është e vërtetë se sot, të gjithë, edhe të rinjtë, ndikohen nga shumë idhuj, që duan ta zëvendësojnë Zotin e që duket sikur sjellin shpresë: paraja, suksesi, pushteti, kënaqësitë. Në këtë Shenjtërore të Aparesidës, pjesë e kujtesës së Brazilit, mund të gjejmë tjetër: përshpirtëri, bujari, qëndresë, vëllazërim, gëzim. Janë vlera, që i kanë rrënjët më të thella në fenë e krishterë”.
Duke kujtuar historinë e gjetjes së shtatores së Zojës nga tre peshkatarë, që atë ditë nuk kishin zënë shumë peshq, por zunë atë, e cila do të bëhej Pajtorja e të gjithë brazilianëve, Papa Françesku përvijoi qëndrimin e dytë, që duhet të mbajnë të rinjtë në jetë: ta lejojnë Zotin t’i kapë në befasi, t’i mahnisë me veprën e Tij:
“Zoti vepron e na befason. Historia e kësaj Shenjtëroreje e dëshmon këtë: tre peshkatarë, pas një dite boshe, pa arritur të kapin peshq, në ujrat e lumit Parnaìba, gjetën diçka të papritur: figuren e Zojës së Papërlyer… Zoti ruan gjithmonë më të mirën për ne. Por, na kërkon ta lejojmë të na befasojë me dashurinë e Tij, t’i pranojmë suprizat e Tij”.
E më pas, Papa Françesku përmendi një temë, që e ka shumë për zemër dhe e ka përsëritur shpesh. U tha të pranishmëve të jetojnë me gëzim. E ky është edhe qëndrimi i tretë, që duhet të karakterizojë jetën e secilit:
“I krishteri nuk mund të jetë pesimist! Nuk ka fytyrën e atij, që mban zi gjithmonë. Nëse jemi vërtet të dashuruar me Krishtin dhe e ndjejmë sa na do Ai, zemra do të na ‘përflaket’ me një gëzim të tillë, sa t’u ngjitet edhe atyre, që jetojnë pranë nesh”.
I ndërprerë shpesh nga duartrokitjet e brohoritjet, pasi e kishte filluar homelinë duke trokitur tek porta e Zojës e duke iu lutur asaj t’u tregojë të gjithëve Krishtin, Papa Françesku e përfundoi me fjalët e Shën Marisë drejtuar të gjithëve: “Tani, bëni ç’ju thotë Jezusi!”.
Kujtojmë se Zoja e Aparesidës festohet më 12 tetor, në të njëjtën ditë me zbulimin e Amerikës, megjithëse nuk i përket të njëjtit vit (1492), por vitit 1717. Devocioni për të lidhet ngushtë me vuajtjen dhe shpresën e popullit afroamerikan. Në fillim të shekullit XVIII, kur skllavëria ishte shumë e përhapur në Brazil, në veri të shtetit të San Paulos, nga rrjetat e tre peshkatarëve doli në fillim shtatorja dhe pastaj koka e një Zoje në argjilë. Ishte me ngjyrë të zezë, si ajo e skllevërve, e thyer, si jeta e tyre. Mrekullia e parë e Zojës së Aparesidës qe në favor të një skllavi afroamerikan, me emrin Zakaria.







All the contents on this site are copyrighted ©.