2013-07-24 15:46:08

Papa ia beson të rinjtë Zojës së Aparesidës


Papa Françesku arriti në Shenjtëroren e Aparesidës për të kremtuar Meshën me ipeshkvijtë e Provincës. Në sallën e 12 Apostujve, ku ishte vendosur Virgjëra e Aparesidës, lexoi këtë lutje drejtuar Zojës së Bekuar, së cilës ia kushtoi të rinjtë dhe papninë e tij:

Kushtimi, Zojës së Aparesidës

Nënë e Aparesidës, si ti një ditë,
kështu ndjehem unë sot
para teje e Zotit.
Ai na ngarkon për jetë një mision
që nuk ia dimë as caqe, as kufij
e që kërkesat sapo ia shikojmë…
Por në besimin tënd, falë të cilit
“S’ka gjë të pamundur për Zotin”.
Ti, Nënë nuk ngurrove!
E unë, si mund të ngurroj!

“Ja, Shërbëtorja e Tënzot. U bëftë mbi mua si është Fjala jote!

Kështu, me Ty, e si Ti,
unë rrok misionin tim.
Në duar tua po e lë jetën time.
Të shkojmë, Ti-Nëna, unë Biri
e të ecim së bashku
të besojmë së bashku,
të luftojmë së bashku,
të fitojmë së bashku,
si patët ecur gjithmonë
Ti e yt Bir!

Grua, ja yt Bir! Bir, ja Nëna jote!

Nënë e Aparesidës,
një ditë e çove tand Bir
Në tempull, për t’ia kushtuar Atit
që të ishte krejtësisht i gatshëm
për mision.
Më ço sot dhe mua tek Ati,
kushtomë Atij
me gjithçka kam,
kështu si jam.

Jam këtu! Dërgomë!

Nënë e Aparesidës,
i lëshoj në duart tua
e i sjell te Ati, të rinjtë tanë e tuajt,
e Ditën e tyre Botërore.
Sa forcë, sa jetë,
e sa gjallëri bulon e shpërthen
e mund të jetë në shërbim të jetës.

Të kërkojmë, o Nënë:
- Pranoi ndër krahë bijtë
e bijat e tua shtegtare,
po eja edhe me ne
shoqërona hap për hap,
shoqëroje ti në mision,
familjen e madhe të besimtarëve.
Kur kryqi peshon tepër rëndë
na e mbështet ti shpresën tonë,
e fenë tonë na e forco.

Kushtimi i vetvetes e i papnisë

O e Shenjtnueshmja Virgjëra Mari,
me ndërmjetësinë pranë Zotit tonë Jezu Krishtit,
përmes Figures Sate të dashur të Aparesidës
shpërndan hire mbi hire
mbi mbarë Brazilin.

Unë, ndonëse i padenjë për të qenë
ndër bijtë e bijat Tua,
por plot me dëshirë për të marrë pjesë,
në të mirat e mëshirës sate,
në gjunjë para këmbëve tua
po ta kushtoj mendjen,
që të mendojë për dashurinë,
të cilën aq shumë e meriton;
po ta kushtoj gjuhën,
që të të lavdërojë gjithnjë
e të përhapë devocionin tënd;
po ta kushtoj zemrën time
që, pas Zotit,
të të dojë përmbi gjithçka!

Pranomë, o Mbretëreshë e pashoqe!
Ti, Nënë, dhuratë e Krishtit të Kryqëzuar,
ndërmjet bijve e bijave tua:
më merr nën mbrojtjen tënde,
ndihmomë në çdo nevojë
shpirtërore e tokësore
e mos më harro, sidomos,
në fill të mortjes sime.

Bekomë, ti, Bashkëpunëtore Qiellore,
e me ndërmjetësimin tënd të pushtetshëm,
forcomë në ligështi,
që, duke të shërbyer besnikërisht në këtë jetë,
të mund të të lavdëroj,
të të dua,
e të falënderoj në qiell
për amshim!

E ashtu qoftë!







All the contents on this site are copyrighted ©.