2013-07-24 10:23:03

Aparesida e Brazilit


Historia e qytetit, me 40 mijë banorë, lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me atë të Pajtores së Brazilit, Zojë e Aparesidës - që do të thotë Zoja e Dukjes. E edhe ekonomia bazohet kryesisht mbi turizmin fetar. Prej këndej, industria e hoteleve dhe tregtia përbëjnë veprimtaritë kryesore të qytetit. Aparesida ka dy stacione radio, ndërmjet të cilave, “Radio Aparesida”, emitentja më e madhe katolike e Amerikës si dhe kanalin televiziv katolik TV Aparesida.
Kryedioqeza e Aparesidës
U themelua më 19 prill 1958, për t’u ngritur në rang metropolie. Shtrihet në një territor prej 1.300 kmk, me 200 mijë banorë. Numëron 169.300 besimtarë (85% e popullsisë). Shërbimi baritor sigurohet në 18 famulli, 8 institucione edukative e 23 institucione bamirëse, nga 73 priftërinj dioqezanë (2 të shuguruar vitin e fundit), 73 meshtarë rregulltarë, 125 rregulltarë jo meshtarë, 186 murgesha e 2 diakonë të përhershëm. Për meshtari përgatiten 8 seminaristë të Seminarit të madh. Gjatë vitit në vijim, këtu u kremtuan 4.126 pagëzime.

Kryeipeshkëv i Aparesidës është kardinali Raymundo Damasceno Assis.

Historia e Zojës së Aparesidës
Kujtojmë se historia e Zojës së Aparesidës nis që nga viti 1717, kur konti i Assumarit, don Pedro di Alamida, sundimtar i provincës së San Paolo e Minas Gerais, njoftoi se do të ndalohej në fshatin Guaratinguetà, gjatë shtegtimit të tij drejt Villa Rica, Ouro Preto i sotëm.
Me këtë rast, disa peshkatarë u ngarkuan të furnizonin peshkun për gostinë, që do të shtrohej një ditë më pas, me rastin e vizitës së kontit. Tre peshkatarë: Domingos Garcia, Filipe Pedroso e João Alves shkuan të peshkojnë në lumin Parnaiba. Pas disa përpjekjesh të pafrytshme për të zënë peshk, tre peshkatarët hodhën rrjetat në një zonë, të quajtur Porto Itaguaçu. João Alves gjeti në rrjetën e tij një shtatore të Zojës, së cilës i mungonte koka. Hodhi rishtas rrjetat e i nxori përplot me peshk. E aty gjeti edhe kokën e shtatores.
Për 15 vjet shtatorja mbeti në shtëpinë e Felipe Pedroso, ku nisën të mblidhen besimtarët për të thënë së bashku Rruzaren Shenjte. Devocioni u përhap me shpejtësi, e me të, edhe hiret. E aty, më 1737, u ngrit Kapela e parë, ndërsa më 1834, nisi ndërtimi i Bazilikës së vjetër. Që nga viti 1894 kujdesi baritor në katedrale u besohet redentoristëve. Zoja e Aparesidës kurorëzohet më 1904.
Dy Papë shtegtuan në Shenjtëroren e Zojës së Aparesidës: Gjon Pali II, në korrik 1980 dhe Benedikti XVI, më 12 e 13 maj 2007. I treti, Papa Françesku, më 24 korrik 2013.
Këtu, te këmbët e Zojës, në Bazilikën, që i kushtohet, Papa do të kremtojë Meshën Shenjte e, në përfundim, do të dalë në një nga ballkonet, për të përshëndetur besimtarët. Kjo etapë është domethënëse: Papa do t’ia besojë Zojës së Aparesidës papninë e tij, DBR-së e edhe vetë të rinjtë e botës.
Fjala ‘aparecida’ vjen nga ‘aparsa’, do të thotë “që u duk”. Është Zoja, që u duk papritmas në historinë e këtij vendi, duke dalë nga deti; Zoja, që duket vazhdimisht, kur njerëzit i luten që t’u nxjerrë nga Zoti hire për vete, për Brazilin, për mbarë Amerikën Latine.







All the contents on this site are copyrighted ©.