Rio-de-Zhanéjro, kryeqytet me të njëjtin emër i Shtetit Federal, i treti për nga dendësia
e popullsisë në Brazil (15 milionë banorë e 92 qytete), Shteti ka 8 zona gjeografike.
Ajo e kryeqytetit Rio, është zonë metropolitane. Qytet me 6 milionë banorë (nëntë,
me rrethinat) shtrihet në bregun jugor të Gjirit të ndritshëm të Guanabarës, mbi të
cilin sundon maja e Pão de Açukar (Bukë sheqeri), që quhet kështu, për shkak të formës.
Këtu i lëshojnë vendin njëra-tjetrës fushat e lagunat, veshur me pyje tropikale,
blloqet shkëmbore prej graniti e kodrat e vetmuara, që krijojnë një pejzazh mahnitës. Zhvillimi
i qytetit është rezultat i një pune vigane: kodra të tëra u sheshuan e gurët e tyre
u hodhën në det, duke fituar zona të gjera, si ajo e Aeroportit Santos Dumont e Aterro
do Flamengo. Laguna të tëra u bonifikuan e u hapën një mori tunelesh, për të lidhur
lagjet e ndryshme të qytetit. Shpërthimi demografik hodhi poshtë shumë plane lidhur
me rindërtimin e Rios. Ndërmjet tyre, ai i propozuar më 1929 nga Korbysje (pseudonim
i arkitetktit, urbanistit e piktorit zviceran, me nënshtetësi franceze, Charles-Edouard
Jeanneret-Gris) që u prek thellë nga bukuria e Rios. I ngujuar ndërmjet malesh
e detit, Rio-de-Zhanéjro ka dy realitete krejt të ndryshme: qytetin modern me rrokaqiejtë
e rrugicat e gjelbëra, dhe rrethinat e pashëndetshme. Tri janë zonat kryesore: qendra
financiare, zona jugore, rezidenciale, që shtrihet gjatë plazheve të bregut të oqeanit
Atlantik (Kopakabana, Ipanema, etj) dhe veriu, zona industriale. Favelat (përqendruar
mbi kodrat e në fushë), plot me baraka, që u mungojnë edhe infrastrukturat më fillestare,
strehojnë mbi 25% të popullsisë urbane e mund t’i shikosh deri në lagjet më elegante
të qytetit: karakteristika më dramatike për vizitorët e vendit. Pikë referimi e
dukshme nga të katër anët e qytetit, është shtatorja e “Krishtit Shëlbues”, ngritur
në vitin 1931 mbi malin Korkovado (704 metra mbi nivelin e detit), me gjatësi 38
metra e peshë 1,150 tonelata. Është vepër e skulptorit francez Paul Landovski, ndërsa
realizimi iu besua inxhinierit brazilian Heitor da Silva Kosta. Ndonëse e humbi
rolin e kryeqytetit në vitin 1960, në favor të Brazilies, Rio ruajti funksione të
ndryshme administrative e përfaqësuese, që i japin qytetit rol udhëheqës në ekonomi.
Porti i tij është i dyti në vend e funksionon si treg për prodhimet e shteteve fqinje
(kafe, pambuk, sheqer, minerale hekuri, manganezi e makineri). Rio ka më se 20
muzeume, ndërmjet të cilave, spikat Muzeumi i artit modern, qendër informacioni e
manifestimesh artistike, teatrore e muzikore, edhe moderne. Të denja për t’u kujtuar,
edhe shumë parqe, ndërmjet të cilave, Parque do Flamengo, ku u kremtua Mesha, kryesuar
nga Papa Gjon Pali II në Takimin II Botëror të Familjeve (5 tetor 1997). Rio i tërheq
shumë turistët, me plazhet e pafundme, peizazhet mahnitëse e karnavalet e famshme
në të gjithë botën, fryt i kulturës popullore, që shprehet me muzikë e valle (eskolas
e samba). Historia, me dy fjalë: 1494 Me traktatin e Tordesilas, Papa
Aleksandri VI e ndan “botën e re” më dysh gjatë meridianit 370 lega në perëndim të
Kepit të Gjelbërt: tokat në perëndim të meridianit u kalojnë spanjollëve, në lindje,
portugezëve. 1500 Lundërtari portugez Pedros Alvares Cabral arrin në zonën
e Bahisë: tokat e reja, sipas traktatit, i përkasin Portugalisë. 1512 André
Gonaçalves dhe Amerigo Vespuçi ‘zbulojnë’ gjirin e Guanabarës (krah deti në gjuhën
e indianëve tamoios, që popullonin zonën). 1549 Jezuitët mbërrijnë në
Brazil me governatorin Tomé de Souza. 1555 Admirali francez Nicolas Durand
de Villegaignon ndërton në ishullin e gjirit vendbanimin e parë evropian të qëndrueshëm.
E quan Rio-de-Zhanéjro (Rio, nga që beson se krahu i detit ishte grykë lumi; Janeiro,
janar, nga që zona u zbulua në janar) 1567 Mundja e dëbimi i francezëve
nga Rio. 1574 Jezuitët, të impenjuar në gjirin e popullsive vendase, nxjerrin
nga Mbreti lejën që indianët e ‘aldeias’, nën mbojtjen e tyre, të mos katandisen më
në skllevër. Kjo masë pakëson numrin e krahëve të punës për kolonët potugezë, që nisin,
si shkëmbim, të shtojnë ‘importimin’ e skllevërve nga Afrika. Shek XVII
Qyteti numëron 3000 indianë, 750 portugezë e 350 skllevër zezakë. Vendosen këtu urdhëra
të ndryshme fetare, ndërmjet të cilëve, Benediktinët e Françeskanët. 1763
Zbulimi i arit në Minas Gerais ia rrit vlerën qytetit, që bëhet port për transportimin
e arit e diamanteve në Portugali: kunora portugeze e transferon selinë e qeverisë
koloniale nga Bahia, në Rio. 1808 Potugalia pushtohet nga ushtritë napoleonike.
Oborri mbretëror portugez strehohet në Rio, duke i dhënë nxitje të re zhvillimit të
qytetit; nis tregtia me jashtë, themelohet tipografia e parë, shkolla e mjekësisë,
akademia ushtarake e biblioteka e parë publike. 1822 Prici sundimtar, Dom
Pedro, refuzon të kthehet në atdhe, sipas kërkesës së parlamentit e të qeverisë portugeze
dhe shpall pavarësinë e Perandorisë së Brazilit (7 shtator).1888 Merr fund
skllavëria. Perandoria, pasi humbet mbështetjen e pronarëve të mëdhenj të tokave,
bie një vit më pas. Rio shpallet Republikë më 15 nënor 1889.