2013-07-23 17:43:50

Papa në Brazil: përmbledhje shtypi


Shtypi i sotëm italian e botëror është përplot me tituj, që ndjekin Papën, shtegtar në Brazil.Gazeta “Corriere della Sera” e nis shkrimin kushtuar Françeskut me titullin kuptimplotë “I pari papë me ‘bagazh në dorë” (fq 1-3).
E konsideron shkëputje nga tradita, gazeta italiane, këtë të re të Papës, që ngjit shkallët e avionit, duke mbajtur në dorë valixhen me kartat e veta, me dokumentet e punës, nga e cila nuk ndahet kurrë. E pastaj nënvizon se do të lëvizë për gjashtë ditë pa mbrojtjen e qelqeve të blinduara, sepse dëshiron të jetë më pranë njerëzve, amerikano-latinëve. Në avion u drejtohet gazetarëve, duke u kërkuar ndihmë, për të mirën e shoqërisë, sepse kriza botërore nuk bën asgjë të mirë. Përkundrazi, krijon një brezni të papunësh.

“Papa në mes të trafikut të Rios, e të luanëve”, e titullon shkrimin kushtuar shtegtimit të Papës në Brazil, gazeta italiane “La Repubblica”. (fq 4-5)
Në avion Papa bën shaka me gazetarët: “Jam këtu në mes të luanëve – u thotë - e u kujton se nuk e ka zakon të japë intervista, nuk mundet, për të është tejet e lodhshme”. “Ju lutem të më ndihmoni në këtë shtegtim, për të mirën e shoqërisë, të të rinjve e, sidomos, të të moshurave”.

Papa: “Të rinjtë, brezni pa punë” - titullohet shkrimi i gazetës ‘La Stampa”, që mund ta lexoni të plotë në faqen tonë të internetit.

“Papa në Brazil, turma bllokon automobilin”, është kryetitulli i “Il Messaggero”, që i kushton shtegtimit të Papës faqet 11-13.

“Alarm i Papës: krijohet rreziku i një breznie të papunësh”- titullon gazeta “Il Tempo”(fq. 14-17)

“Il Giornale” vë në dukje edhe një herë figurën e Papës në shkallët e avionit. Titullon: “Ky Papë shtegtar, që ngjitet në avion me valixhe në dorë”. Shkrimi botohet në faqet 18-19.

“Papa: trokas në portën e zemrës suaj”- titullohet shkrimi i gazetës “L’Avvenire”, që e pasqyron gjerësisht shtegtimin e Papës në Brazil, në faqet 20-22- 23. 24.
“Valixhja e Françeskut”, “Një ekonomi inkluzive është e mundur”; “Trokas në zemra” e tituj të tjerë të kësaj natyre, i shikojmë sot në të gjithë shtypin botëror. Kuptohet, vizita e Papës është gjerësisht në qendër të vëmendjes në gazetat e Brazilit e të gjithë Amerikës Latine.







All the contents on this site are copyrighted ©.