2013-07-23 13:49:49

Papa apo foshnja mbretërore: dilema e gazetarëve në Rio


Sean-Patrick Lovett, përgjegjësi i programit anglez të Radio Vatikanit, në udhëtim bashkë me Papën Françesku, në informacionin që po ju propozojmë, përshkruan i mahnitur entuziazmin e njerëzve, ndërsa kalonte makina e Atit të Shenjtë në Rio. Më pas, Papës iu desh të merrte helikopterin. Po të dëgjojmë reportazhin e Sean-Patrick Lovett:RealAudioMP3

“Shumë koka u tundën me mosbesim – ndërsa të tjera, me siguri, do të priten, duke u rrotulluar poshtë nga posti, që mban funksionari përkatës – pas shëtitjes me makinë të Papës në qendrën e Rios, të hënën pasdite. Vërtet, udhëtimi 40 minutësh nga aeroporti deri në katedrale nuk ishte parashikuar, por faji qe edhe i motorrave, që paraprinin, të cilët hynë gabimisht në një rrugë, përfunduar me bllokimin në mes të trafikut. Njerëzit e rrethuan me shpejtësi makinën e tensioni rritej, ndërsa policët përpiqeshin të kontrollonin masën, e cila, nganjëherë dukej sikur e kishte gëlltitur automjetin.
Vetëm pasi u zhvendos në një xhip të hapur, udhëtimi përmes qytetit rifitoi dinjitetin e ngjyrimin kremtues, që i dhanë mundësi Papës Françesku të qetësohej dhe të përshëndesë turmën entuziaste me ngrohtësinë e tij karakteristike. Kur mbërriti në katedrale, qindra mijëra njerëz vërshuan nëpër rrugë, të vendosur t’i shprehnin Atit të Shenjtë mirëseardhjen e vërtetë latinoamerikane.
Mirëseardhje, që mori tone shtetërore, kur Papa mbërriti në Pallatin e Guanabarës, për ceremoninë zyrtare. Kësaj here, udhëtoi me helikopter, i cili jo vetëm që zgjidhi problemin e trafikut, por i siguroi Atit të Shenjtë një pamje të mrekullueshme të Rio-de-Zhanejros, ndërsa binte nata. Kjo i ndihmoi edhe organizatorët të fitonin kohë, pasi ngjarjet po zhvilloheshin me një orë vonesë.
Efekt anësor i vonesës papnore qe edhe zhvillimi i konferencës së drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, një orë më vonë, - gjë, që revoltoi ndonjë gazetar të kollarisur, i cili kishte jashtëzakonisht nevojë për ndonjë titull bombastik, që të kapërcente jehonën e lindjes së fëmijës mbretërore në Angli. Duke iu përgjigjur pyetjeve, atë Lombardi shpjegoi ngatërrimin e rrugës së motorrit dhe shtoi se sekretari i Papës ishte jashtëzakonisht i shqetësuar, ndërsa vetë Papa Françesku dukej se po argëtohej nga ngjarja. Gjithashtu, vuri në dukje dy prapaskena të tjera. Së pari, gjatë bisedës private në Pallatin e Guanabarës, presidentja braziliane shprehu admirimin për fjalën e Atit të Shenjtë në ishullin italian të Lampeduzës, para dy javësh. Së dyti, gjatë fluturimit për në Rio, Papa foli për 15 minuta me pilotët, aq sa gazetarët u shqetësuan seriozisht e pyetën se kush po e pilotonte avionin. Kushedi ç’do të kishte thënë për këtë bebi mbretëror…”








All the contents on this site are copyrighted ©.