2013-07-23 16:59:18

Krerët e Kishave në Mbretërinë e Bashkuar urojnë çiftin mbretëror për lindjen e djalit


Kreu i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Anglisë e të Uellsit, imzot Vinsent Nikols dhe Kryeipeshkvi i Kanterburit, Xhastin Uelbi i dërguan sot urimet e tyre çiftit mbretëror për lindjen e djalit, foshnjës trashëgimtare të fronit anglez. Turma të tëra njerëzish rrethojnë që dje Bakingam Palas, menjëherë pas lajmërimit se Dukesha e Kembrixhit lindi një djalë prej 3,8 kilogramësh në spitalin e Shën Marisë në Londër.
Duke përshëndetur në emër të Konferencës Ipeshkvnore Katolike, kryeipeshkvi Nikols shkruan se lindja e princit të ri do të jetë burim gëzimi, jo vetëm për Familjen Mbretërore, por edhe për popullin e Mbretërisë së Bashkuar e për të tjerët. “Zoti ynë Jezu Krishti – përfundon ai – i bekoftë dhe i mbroftë. Lutem që Zoja e Bekuar e Shën Jozefi të ndërhyjnë pranë Zotit për ta”.
Në një mesazh, pas lajmit të shpallur me tellall, kryeipeshkvi anglikan Uelbi shkruan: “Kam kënaqësi t’i uroj Dukën dhe Dukeshën e Kembrixhit për lindjen e djalit të tyre. Së bashku me miliona njerëz, këtu e në të gjithë botën, bashkëndaj me ta gëzimin, në këtë çast të veçantë. Zoti e bekoftë këtë familje me dashuri, shëndet e lumturi edhe në të ardhmen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.