2013-07-23 14:43:39

Atë Lombardi: pritje e jashtëzakonshme për Papën në Rio


Për bilancin e ditës së parë të Papës Françesku në trojet braziliane për DBR-së, të dëgjojmë drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, dita e djeshme ishte plot me të papritura, që shkaktuan edhe ndonjë shqetësim. Mund të na flisni për hollësitë…

Përgjigje: - Besoj se kur flitet për shqetësim, nënkuptohet rruga nga Aeroporti, në Pallatin e Guanabarës, ku Papa u prit në mënyrë jashtëzakonisht entuziaste. U bë vetëm një gabim i vogël gjatë rrugës, e prej këndej, u krijua edhe ndonjë vështirësi – të themi – që kishte të bënte me vijimin e udhës, në një farë pike, kur Papën e rrethoi një turmë njerëzish plot entuziazëm. Na u duk se do të mbeteshim pakëz të bllokuar. Ky është një çast, që shkaktoi habi e, për ndokënd, edhe shqetësim, por shqetësim që kuptohet menjëherë, kur je në një qytet të madh, me mikpritje të jashtëzakonshme, me interesim entuziast nga ana e njerëzve e me një Papë, si Françesku, që e thith vetvetiu entuziazmin dhe afërsinë e të gjithëve. Prej këndej, them se ishte përvojë e nevojshme e cila duhet pasur parasysh për ditët e ardhshme, që t’i shmangim pengesat e vogla, por edhe aspekt pozitiv i këtij entuziazmi të madh të ditës së parë.

Pyetje: - A e priste Papa një entuziazëm kaq të madh nga popullsia e Rios dhe e Brazilit, në përgjithësi?

Përgjigje: - Papa e di se brazilianët janë shumë mikpritës; e di se latino-amerikanët, që ai i njeh mirë, janë njerëz tejet të përzemërt. E brazilianët në mënyrë të posaçme. Më preku thellë fakti që, në fjalimin e parë, fjala ‘zemër’ përsëritet shumë herë. Ishte fjalim gjithë zemër. Papa foli për zemrën e madhe të Brazilit e trokitjen e tij të lehtë, për të hyrë në këtë zemër. Më duket se kështu tregoi qartë se e njeh mirë ndjeshmërinë e edhe karakterin gazmor të këtij populli që, sigurisht, do t’i dhurojë edhe ditë gazmore.

Pyetje: - Nuk pati pyetje-përgjigje në avion nga ana e gazetarëve, por gjithsesi, fjalimi i Papës ishte i rëndësishëm…


Përgjigje: - Nuk ishte i rëndësishëm vetëm fjalimi i shkurtër i Papës; por edhe lidhja e tij personale. Ai i përshëndeti një për një të 70 gazetarët, operatorët televizivë, fotografët, duke u ndaluar një çast me secilin prej tyre, duke i pyetur për familjet e duke u bekuar objekte fetare; pati një takim jashtëzakonisht të thjeshtë, thellësisht njerëzor, takim i atit me bijtë.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për brendinë e takimit të Papës me presidenten Rousseff?

Përgjigje: - Brendia u shpreh sidomos përmes fjalimit të presidentes, që më duket domethënës edhe në aspektin e impenjimit në fushën e drejtësisë shoqërore, të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, të të rinjve… Ja, pamë vullnet të mirë e vëmendje për t’i përballuar të gjitha problemet, që vërejmë në shoqëri, rreth nesh, e edhe në shoqërinë braziliane të këtyre ditëve, siç e dimë. Presidentja, pastaj, i shprehu Papës, në bisedimin personal, vlerësimin për impenjimin e Atit të Shenjtë në këto aspekte. Posaçërisht i kujtoi fjalën e mbajtur në Lampeduzë, si fjalim tejet domethënës. Shihet, prej këndej, sesi nga ky ishull i vogël i Mesdheut, Papa mundi t’i fliste zemrës së botës, sepse fjalimi arriti e u mirëprit edhe këtu, në Brazil, në një kontinent të madh e në një vend të madh. Pastaj edhe fjalët e Papës mbi kulturën e takimit e jo të përjashtimit e të mënjanimit nga radhët e shoqërisë, po hyjnë gjithnjë më shumë në zemrën e njerëzve, duke prekur deri drejtuesit politikë.

Pyetje: - Në fushën e sigurisë, u fol për një bombë, që qenkej gjetur të dielën e kaluar në Aparesida: a ka ndonjë shqetësim në këtë drejtim?

Përgjigje: - Mund të themi që, më shumë se bombë, ishte një mekanizëm artizanal, i gjetur në një banjo publike, pranë bazilikës. Sigurisht nuk kishte të bënte fare me Papën. Prej këndej specialistët nuk shprehën asnjë shqetësim serioz.

Pyetje: - Sot Papa do të pushojë, për t’u mësuar qetësisht me orarin e ri të anës tjetër të botës, por edhe për t’u çlodhur, pas dhjetë orë fluturimi. A parashikohet ndonjë ndryshim jashtë programi?
Përgjigje: - Papa është gjithnjë i aftë për të shpikur diçka të re…. Prandaj nuk mund t’ju siguroj se kjo do të jetë ditë krejtësisht e qetë. Por, besoj se synimi është pikërisht ai i një dite pa të papritura, në të cilën Papa do të mendojë për ditët e ardhshme, që nuk do të jenë aspak të qeta, përkundrazi, tejet të ngarkuara. Pastaj, nëse Papa do të dëshirojë të takojë ndonjë person, që njeh, të thellojë ndonjë bisedim, mund ta bëjë këtë lirisht. Gjithsesi nuk besoj se sot do të ketë ngjarje të rëndësishme me pjesëmarrjen e Papës. Ngjarje e rëndësishme është Mesha e hapjes së Ditëve botërore të rinisë e cila, tradicionalisht, kremtohet pa praninë e Papës. Ndërsa nesër kemi pritjen, që do t’i bëjnë të rinjtë Atit të Shenjtë, e kjo është ngjarje vërtet e madhe e DBR-së.







All the contents on this site are copyrighted ©.