Më 22 korrik kalendari kujton shën Marinë Magdalenë, dishepulle e Jezusit
Shën Maria Magdalenë na mëson t’i kërkojmë Jezusit ndihmë në çastet e ligështisë njerëzore.
Kisha pra kremtoi sot ,22 korrik, kujtimin liturgjik të shën Marisë Magdalenë, dishepulle
e Jezusit, e para dëshmitare e të Ngjallurit: grua – kujtoi Benedikti XVI me fjalët
e Shën Tomës së Akuinit – që mund të quhet ‘apostulle e apostujve’. Ashtu si qe një
grua, që i kumtoi burrit të parë fjalët e vdekjes – shkruan Akuinasi – kështu qe një
grua, që u kumtoi para apostujve fjalët e jetës. Maria ishte nga Magdala, qytezë
e Galilesë në brigjet e liqenit të Tiberiades. Ungjijtë e kujtojnë ndërmjet grave,
që e ndiqnin Jezusin, “pasi ai i pati shëruar nga shpirtrat e këqinj e nga sëmundjet”,
duke saktësuar se nga ajo kishin dalë ‘shtatë djaj”. “Historia e Marisë nga
Magdala na kujton të gjithëve një të vërtetë themelore: dishepull i Krishtit është
ai që, pasi provon ligështinë njerëzore e ka përvujtërinë t’i lypë ndihmë, shërohet
prej Tij dhe e ndjek nga afër, duke u bërë dëshmitar i fuqisë së dashurisë së tij
përdëllyese, e cila është më e fortë se mëkati e se vdekja”(Benedikti XVI
Engjëlli i Tënzot i 23 korrikut 2006). Kur Krishtin e mbërthejnë në
kryq, ndërsa apostujt, përveç Gjonit, ua mbathin këmbëve nga frika, Maria Magdalenë
mbetet aty, në Golgotë, pranë Zotit të saj të rrahur, të pështyrë, të përgjakur, të
kryqëzuar. Është aty, përkrah Zojës së Dhimbshme e grave të tjera. E shikon Mësuesin
duke dhënë shpirt. Pastaj, në mëngjesin e ditës së parë pas së shtunës, e gjejmë,
të mbytur në lot, pranë varrit të zbrazët, me një dëshirë të vetme: të dijë ku e kanë
çuar Jezusin. Zemra e saj e plagosur digjet nga kjo dëshirë: ta gjejë, me çdo kusht,
të varrosur në një varr të ri! Por e gjen të gjallë!“ E gjen dhe
e njeh kur Ai e thërret me emër. Edhe ne, në se e kërkojmë Zotin me shpirt të thjeshtë
e të çiltër (sinqertë), do ta takojmë pa tjetër. Madje do të jetë ai vetë që do të
na thërrasë me emër e do të na bëjë të hyjmë në thellësitë e dashurisë së tij” (
Benedikti XVI Audienca e përgjithshme e 11 prillit 2007). Shqetësimi e çorientimi
i Magdalenës kthehen në gëzim e entuziazëm. Por Jezusi i thotë edhe: “Mos më mbaj,
sepse nuk jam ngjitur ende tek Ati”: “Maria Magdalenë dëshiron ta ketë Mësuesin
e vet pranë si më parë, duke menduar për Kryqin si për një kujtim dramatik, që duhet
harruar. Tashmë për ta takuar, nuk duhet të kthehesh pas, por të krijosh një lidhje
të re me të. Duhet shkuar përpara. E kjo ngjet me Tomën: Jezusi ia tregon plagët e
veta jo për ta harruar kryqin, por për ta bërë të paharrueshëm edhe për të ardhmen”(Benedikti
XVI Audienca e përgjithshme e 11 prillit 2007). Takimi me Krishtin e ngjallur
e ndryshon thellësisht Marinë Magdalenë, e cila ngarend menjëherë tek Apostujt për
t’u kumtuar ngjarjen më të madhe të njerëzimit, atë që ia ndryshoi rrjedhën gjithë
historisë: “Kam parë Zotin!”: “Ja, kush takon Jezusin e ngjallur
shndërrohet shpirtërisht; por, nuk mund ta shikosh të Ngjallurin, në se nuk beson
në Të. Të lutemi që të na thërrasë të gjithëve me emër, e kështu të bëjmë kthesë,
duke i hapur mirë sytë, për të parë vegimin e fesë. Feja lind nga takimi personal
me Krishtin e ngjallur; bëhet burim guximi e lirie, që të nxit t’i kumtosh me sa zë
që ke botës: “Jezusi u ngjall e jeton përgjithmonë e jetës!”. E ky është misioni i
dishepujve të Zotit në çdo epokë, edhe në kohët tona”(Benedikti
XVI Audienca e përgjithshme e 19 prillit 2006). Edhe ne, si Maria Magdalenë,
si Shën Toma e Apostujt e tjerë, duhet të jemi dëshmitarë të vdekjes e të Ngjalljes
së Krishtit. Nuk mund ta mbajmë vetëm për vete lajmin e madh. Duhet ta marrë vesh
gjithë bota se “Kemi parë Zotin”. Virgjëra Mari na ndihmoftë që, me hirin e Shpirtit
Shenjt, të bëhemi të aftë për ta çuar këtë mesazh kudo që jetojmë e punojmë.