2013-07-21 15:45:23

Papa në lutje, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe


Ati i Shenjtë Françesku shkoi, të shtunën mbasdite, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, për t’i kërkuar Zojës mbrojtje gjatë shtegtimit të tij apostolik në Brazil, për vete, për të rinjtë, që do të mblidhen në Ditën e tyre Botërore të Rio-de-Zhanéjros si dhe për të gjithë të rinjtë e botës. Papa arriti rreth orës 16. 45 në Bazilikë, ku u prit nga kardinali-kryeprift Santos Abril y Castellò. U gjunjëzua, pastaj, para figures së mrekullueshme të Shën Marisë, Shpëtimi i Popujve Romakë, i rrethuar nga etërit domenikanë, që shërbejnë në Bazilikë. Papa ndenji gjatë në lutje para Zojës së Bekuar, pastaj vuri një kurorë lulesh mbi elter e ndezi një qiri, me stemën simbolike të Ditës XXVIII Botërore të Rinisë.
Me që Bazilika ishte e hapur për publikun e qenë të pranishëm shumë besimtarë, Papa, para se të largohej, u ndalua te elteri i madh i Bazilikës, ku ndoqi një përshëndetje të shkurtër nga kardinali-kryeprift dhe u drejtoi disa fjalë besimtarëve, duke u kërkuar ta shoqërojnë me lutje, besim e pendesë shtegtimin e tij në Brazil dhe takimin me të rinjtë e mbarë botës.Vizita zgjati më pak se një orë.







All the contents on this site are copyrighted ©.