2013-07-19 12:04:42

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit “C”


Është i frytshëm suksesshëm jo kush vepron shumë, por kush vepron me Zotin! Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximete biblike të dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele na thërret të meditojmë mbi praninë e Zotit e të Fjalës së Tij Hyjnore e jetëdhënëse në jetën tonë. Leximet biblike të dieles së 16-të na ofrojnë mundësinë për t’u ndalur së paku mbi tri argumente: pritja e mikpritja; ndërtimi i Korpit mistik të Jezu Krtishtit, përmes pjesëmarrjes sonë në mundimet e Shëlbuesit Hyjnor, dhe kundrimi e veprimi.
Pra, pranimi i Hyjit tek e në vëllezërit tanë, kjo është njëra prej temave kryesore që trajtohet nga Leximet biblike të kësaj së diele e në mënyrë të posaçme pjesa nga Ungjilli i shën Lukës. Pjesa ungjillore e kësaj së diele nga shën Luka na flet për mikpritjen e Martës e të Marisë që i bënë Jezusit në shtëpinë e tyre. E porosia e pjesës ungjillore është të mësojmë edhe ne nga Mësuesi hyjnor që vëllai apo motra jonë nuk kanë nevojë vetëm për ushqim, por edhe për Fjalën e Zotit. Dëgjimi i Fjalës Hyjnore paraprinë e mbështet çdo përcaktim, veprim tonë.
Siç na rrëfen pjesa ungjillore e kësaj së diele, Jezusi është myfasir i Marisë e Martës, por edhe musafir i ynë. Ta pranosh e ta dëgjosh Atë është shenjë e gatishmërisë së besimit, shenjë feje. Kush nuk e pranon, nuk ka mundësi të kthehet, të ndryshojë jetën e vet. Pikërisht duke dëgjuar Fjalët e tij, ne mund të shndërrohemi në nxënës të tij. Marta e Maria janë shembuj që Ungjilli na ofron për të na treguar se si duhet pritur Zotin që kalon në jetë e në shtëpi tonë: me gatishmëri, bujari, mikpritje e dëgjim.
Në çdo vëlla e motër, Krishti mund e duhet të pranohet. Lutja e dytë e hyrjes së Meshës së kësaj së diele kështu na bënë të lutemi: “O Atë i urtë e i mëshirshëm, dhurona një zemër të përvujtë e të butë…për të pranuar e ndjekur Krishtin myfasir në personin e vëllezërve tanë”.
Pra, shtëpia e Martës dhe Marisë shërbejnë si sfond i pjesës së Ungjillit të së dielës së 16-të. Të kalosh nga shqetësimi e ankthi i asaj që duhet të bëjë për të tek mahnitja e asaj që ai bën për mua, ky është rrugëkalimi i dy motrave të Betanisë, simbol i çdo besimtari. Të kalosh prej Hyjit si detyrim tek Hyji si dëshirë e etje. Jezusi kultivues i miqësisë, nuk kërkon shërbtor, por miqë; nuk lyp persona që të bëjnë gjëra për të, por njerëz që e lejojnë atë të bëj gjëra të mèdha , sikur Maria e Nazaretit: “punë të mëdha bëri në mua i Gjithpushtetshmi”.
Thelbi i tërë fesë së krishterë është ajo që Hyji bën për mua, jo ajo që unë bëj për Hyjin. kështu mikpritja e pëzemërt dhe ndarja e bukës në sofër, i japin rast Mësuesit të Nazaretit, Jezu Krishtit të na mësojë se si lypet jetuar bamirësia, dashuria dhe mikpritja. Fjalët e Jezusit nuk duan të nënvlerësojnë punën e Martës, por na kujtojnë atë që është thelbësore, dmth. dëgjimin e kumtit të tij, duke na ndihmuar kështu t’i shmangemi rrezikut që duke u marrë me punë e shërbime të shumta, të mos e harrojë pikërisht atë që vjenë për ta vizituar si mik.
Marta e Maria nuk janë në kundërshtim njëra me tjetrën, sjelljet e tyre janë përplotësim. Marta nuk mund të bëj pa Marinë, sepse shërbimi ynë nuk ka burim, të vetmin burirm që zemrën e bënë të madhe. Maria nuk mund të bëj pa Marten, sepse nuk ka dashuri të Hyjit që nuk mishërohet në gjeste konkrete. Mikesha e shërbëtorja janë dy mënyra të dashurisë, që të dyja të nevojshme, dy polet e një urdhëri të vetëm: “duaje Hyjin tënd e duaje të afërmin tënd”; të një lumnie të vetme: “lumë ata që e dëgjojnë fjalën, lumë ata që e ishërojnë në jetë”. Unë e ti jemi Marta e jemi Maria; brenda besh dy motrat mbahen për dore, e kur asgjë më nuk do ta ndajë njeriun prej Zotit, atëherë asgjë më nuk do ta ndajë njeriun nga shërbimi i njeriut. Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 18, 1-10
Kjo pjesë paraqet temën e mikpritjes. Tregon bujarinë, mikpritjen që Abrahami u bën tre miqve misteriozë. Një mirësi e tillë i lejon atij të kuptojë misterin që ata mbartin.
Njëri i zbulohet si Hyji dhe dy të tjerët si engjëjt e tij. Ky tregim është një mësim mbi kuptimin e thellë të mikpritjes. Jezusi do të na thotë se kush mikëpret më të voglin e vëllezërve të mi mikëpret vetë Hyjin.

Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, Zoti iu duk Abrahamit te Qarret e Mambres, ndërsa po rrinte në derë të tendës. Ishte pika e zhegut. Si i çoi sytë përpjetë i pa tre burra në këmbë pranë tij. Si i shikoi, vrapoi t’u dalë para prej derës së tendës dhe u përkul në nderim e tha: “Imzot, nëse kam ndonjë farë rëndësie para syve të tu, mos kalo pa hyrë te shërbëtori yt. Do t’u sillet pak ujë dhe lani këmbët tuaja e pushoni nën hije të trungut. Po ju sjell një kafshore bukë që ta merrni veten para se të vazhdoni udhën. Ju po i bini kah dera shërbëtorit tuaj!”
Ata i thanë: “Bëj, pra, si the!” Abrahami shpejtoi në tendë te Sara e i tha: “Shpejto e përziej tri masë të miellit më të mirë dhe na i bëj do kuleç.” Ai vetë vrapoi në vathë dhe prej andej e nxori një viç të ri e të majmë dhe ia dha shërbëtorit. Ai e përgatiti me të shpejtë. Mori edhe mazë, qumësht dhe viçin që e kishte pjekur dhe ua shtroi përpara, ndërsa ai vetë, derisa ata ngrenin, rrinte pranë tyre në këmbë rrëzë trungut. Ata i thanë: “Ku është Sara, gruaja jote?” Ai përgjigji: “Qe, është në tendë!” Ai i tha: “Do të kthehem dhe do të vijë te ti pasi të kalojë koha e shtatzënësisë, dhe Sara, gruaja jote, do të ketë djalë.”Fjala e Zotit.

Psalmi 15
Ata që e kanë zemrën e pastër
do të banojnë në shtëpinë e Zotit
----- ----- -----
O Zot, e kush do të guxojë
të hyjë në tendën tënde?
Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi,
e prej zemrës flet të vërtetën.
----- ----- -----
Që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton,
që shokun nuk e çnderon:
ai që bëkeqin e mban për asgjë,
e i çmon ata që e druajnë Zotin.
----- ----- -----
Nuk jep të holla me kamatë,
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu kurrë e për këtë jetë nuk do tëluhatet.
----- ----- -----

Leximi i dytë Kol 1, 24-28

Pali, i vjetër dhe i burgosur, akoma në zemrën e tij shfaq vrullin e apostullit që përshkon botën.
Detyra e tij është gjithmonë urgjente: tu shpallë njerëzve fjalën e Hyjit që ta jetojnë, të udhëheqë njerëzimin në takim me Krishtin, me shpresën për një jetë të lirë dhe të re.
Të jesh apostull do të thotë gjithmonë të rilindësh Kishën ashtu siç bën Krishti, pra në dashuri që nuk njeh pengesa.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, tani vetë u gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij, Kishën. U bëra mbarështues i Saj në fuqi të misionit që Hyji më caktoi për të mirën tuaj që ta bëj të njohur njëherë e përgjithmonë Fjalën e Hyjit: Misterin e mbajtur fshehur gjatë shekujsh dhe breznish, të cilin tani ua zbuloi shenjtërve të vet. Këtyre Hyji deshi t’ua njoftojë lavdinë e begatshme të këtij Misteri në paganë, domethënë: Krishti është ndër ju, shpresa e lavdisë! Ne kumtojmë Atë. Qortojmë çdo njeri dhe mësojmë gjithkënd me çdo njohuri për të bërë që gjithkush t’ia arrijë përsosmërisë në Krishtin. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Fjala jote, o Zot, është e Vërtetë:
na shenjtëro në të Vërtetën.
Aleluja.

Ungjilli Lk 10, 38-42

Dy motrat, Marta dhe Maria kanë një shqetësim të përbashkët: të mikëpresin mikun dhe të bashkëndajnë detyrat e tyre. Marta kujdeset për kuzhinën, Maria ulet dhe dëgjon Mësuesin.
Janë dy detyra që shprehin të njëjtën mikpritje. Por Marta e tepron dhe i kërkon ndihmë së motrës. Në këtë moment mikpritja nuk është më e qetë dhe Jezusi i thotë se e nevojshme është vetëm një gjë. Thelbësore është dëgjesa e Fjalës.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi hyri në një fshat dhe në grua, me emër Martë, e priti në shtëpi. Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!” Iu përgjigj Zotëria:
“Martë, Martë, ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.” Fjala e Zotit.
Më shumë mbi programin kushtuar liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni edhe këtu.......... RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.