Kisha braziliane zjen nga entuziazmi, në sa bën përgatitjet e fundit, në pritje të
Papës dhe të hapjes së DBR-së. Po ç’mund të themi për Kishën, që pret Papën në Brazil? “Papa
i tërheq njerëzit, më shumë se futbolli”, është një nga shprehjet, që dëgjohet në
rrugët e Rios, përplot me qindra mijëra të rinj, ardhur nga të katër anët e botës:
priten dy milionë. Sipas imzot Çesare Kostës, ipeshkëv-ndihmës i Rios dhe zëvendës-kryetar
i Komitetit organizator, entuziazmi i të rinjve vendas, që përgatisin ngjarjen e madhe,
është tepër ngjitës. Tërheq fort edhe shumë të rinj, që janë larguar nga Kisha. Statistikat
flasin për 190 milionë brazilianë, 64% nga të cilët, rreth 123 milionë, janë katolikë.
Por në ‘72-in ishin 92%. Ka rënie, pra. E ka edhe katolikë, që largohen nga Kisha,
për të ndjekur kishat historike protestante ose ungjillore. Por duhet theksuar se
kohët e fundit Brazilin po e sulmojnë mijëra sekte të tipit pentekostal-karizmatik,
që po i shkatërrojnë familjet, posaçërisht në mjediset më të varfëra. Është tejet
domethënëse, prandaj, prania e Papës në një realitet të tillë, në Brazil, në një shtegtim,
që ka si etapë të parë Shenjtëroren e Aparesidës ku, më 2007, u mbajt Konferenca V
e Kishës latinoamerikane, me një dokument të rëndësishëm përfundimtar, hartuar nga
një komision, dora kryesore e të cilit ishte ajo e kardinalit Bergolio. Kjo përgjigje
i jepej sfidës së sekteve dhe të shekullarizimit të kontinentit, duke nënvizuar qendërsinë
e ungjillëzimit të ri. E Papa Françesku shkon në Rio që t’i ftojë të rinjtë të bëhen
dishepuj misionarë të Krishtit, për t’ua kumtuar të gjithë kombeve. Brazili e
priti me fe shtegtimin tejet të gjatë të Kryqit të DBR-së dhe Ikonën e Zojës së Bekuar,
që arriti në Rio më 6 korrikun e kaluar e, pas kalimit të simboleve të fesë, mijëra
familje vendosën t’i hapin dyert për të pritur shtegtarët e rinj, ardhur nga të pesë
kontinentet. Edhe Kisha ungjillore e ajo protestante janë në gatishmëri të plotë.
Në prag të arritjes së Papës, në Rio do të mbahet takimi i 200 të rinjve katolikë,
hebrenj e myslimanë, që do të bëjnë propozime konkrete për dialogun ndërfetar.