Kujtojmë sot përvjetorin e lindjes së Dedë Nikës, që më vonë do të merrte emrin rregulltar
Çiprian. Françeskani i njohur, atë Çiprian Nika, martir i fesë në Shqipërinë komuniste,
lindi në Shkodër më 19 korrik 1900 në familjen e Mëhillit e të Ana Ali Mirashit.
Shkollën e parë e bëri në prehër të prindërve, besimtarë të devoçëm katolikë. Mësimet
fillore e të mesme i kreu në Shkodër, ku ndjeu edhe thirrjen për të ecur në rrugën
e jetës rregulltare françeskane. Veshi zhgunin e Shën Françeskut të Asizit më 16 tetor
1916; më 23 tetor 1917 bëri kushtet e përkohshme të jetës rregulltare; më 16 shtator
1921, kushtet e përjetshme rregulltare, ndërsa Meshën e parë e kremtoi më 25 korrik
1924. Studioi filozofi e teologji, më parë në Shkodër e më pas në Austri, ku i përsosi
e i kreu studimet e larta. Më 17 qershor 1938 u zgjodh provinçial i Provinçës Françeskane
të Zojës Nunciatë; ishte i pesti provinçial shqiptar. Kishte përkrah, si kustod, Atë
Mati Prendushin. Në vitin 1941 ishte definitor i Provinçës, ndërsa në vitin ogurzi
1946 - i burgosur politik, së bashku me 15 fretër të tjerë, ndërmjet të cilëve, pesë
martirë të ardhshëm. Ishte nëntor, kur e arrestuan me akuzën e fshehjes së armëve
në kishën françeskane të Gjuhadolit në Shkodër. Një bashkëvuajtës, që ndau me Atë
Çirpian Nikën qelinë, e kujton kështu: ˝Në qelinë e vogël ku më flakuen, gjeta
një frat të heshtun, të gjujuem, që lëvizte buzët, por pa lëshue za. Lutej. Fëtyra
e tij e përvujtë rrezatonte besim e shpresë, sidomos kur përsëriste lutjen: “O Ati
em, më ndihmo me kenë i dêjë për hirë e dashtëni tande”. Atë Çirpian Nika
u pushkatua nga komunistët pa gjyq më 11 mars 1948. Ati qiellor ia dëgjoi lutjen.
Mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar i shenjtë, i përvuajtur, i kulturuar,
atdhetar, muzikant e shkrimtar i talentuar: përmbushte kështu të gjitha kushtet, të
cilat në Shqipërinë komuniste të çonin në pushkatim. E përmbush edhe të gjitha kushtet
që në Kishën katolike e përjetësojnë njeriun që dhuroi gjithçka ishte e kishte për
Zoti e për njeri, për Fe e Atdhe.