2013-07-18 15:04:48

Aksident në Guajanën franceze: vdes një shtegtare e re e DBR-së. Dhimbja e Papës


Papa Françesku shpreh dhimbjen e tij të thellë për aksidentin tragjik, që ndodhi mbrëmë në Guajanën franceze. Një grup të rinjsh, të ardhur nga Parisi, që përgatitej për të marrë pjesë në DBR-së, udhëtonte me autobusin e aksidentuar. Një e re 21 vjeçe gjeti vdekjen, 6 të tjerë u plagosën. Në gjendje të rëndë edhe shoferi e dy vetë të tjerë, që udhëtonin me një kamion, i cili u përplas me autobusin e shtegtarëve të rinj.
Përmes një telegrami, nënshkruar nga kardinali Tarçizo Bertone, drejtuar kryeipeshkvit të Parisit, kardinalit Andrè Vënt-Trua, Papa merr pjesë me gjithë zemër në dhimbjen e familjeve të goditura kaq rëndë nga kjo tragjedi, duke i siguruar për lutjen e solidaritetin e tij.
Aksidenti ndodhi në afërsi të Manës, në rrugën që lidh Sent Lorent dy Maronì e Kuru, ku po udhëtonte autobusi, me 23 shtegtarët e rinj.
Sonte kardinali Vënt-Trua do të kryesojë një mbrëmësore lutjesh, organizuar nga famullia e viktimave, Sënt Leon, pasuar nga një Meshë, kremtuar në katedralen e Sent-Sover të Kajenë, nga ipeshkvi vendas, imzot Emanuel Lafont.







All the contents on this site are copyrighted ©.