2013-07-17 17:03:23

Në Afrikën qëndrore keqësohen kushtet e jetesës të të krishterëve


Jemi në një gjendje, që duket e qetë përsa i përket dhunës. Konfliktet me armë zjarri janë më pak të ndjeshme, të paktën gjatë ditës. Por ndërkaq kushtet e jetesës së përditshme keqësohen me shpejtësi rrufeje. Gjendja ekonomiko-shoqërore bëhet gjithnjë më e rëndë. Nga Berberatet, rreth 650 kilometra nga kryeqyteti Bangui, motra Elvira Tutolo, që prej 21 vjetësh në Afrikë, tregon për Radio Vatikanin, krizën e rëndë humanitare në Republikën Qendroafrikane, rreth katër muaj pas grushtit të shetit, që solli në fuqi rebelët e Slekës. Shërbejnë në spital, motrat, e nuk kanë më ilaçe. Po u vdesin ndër duar njerëzit, sidomos fëmijët, që nuk kanë as ushqim të mjaftueshëm. Bëjnë gjithçka munden, por nuk mund të bëjnë të pamundurën. E jo për faj të tyre. Mungojnë ushqimet, ndërsa malaria vijon të përhapet me shpejtësi, pikërisht atje, ku ishte në zhdukje e sipër. E gjithë kësaj drame, u shtohen edhe vrasjet e përditshme, nga njerëz që s’dihet nga vijnë e ku shkojnë, nësa dihet mirë se kërkojnë vazhdimisht para. Jetojmë pranë të sëmurëve e ndërmjet fraksioneve dhe rebelëve që ndeshen vazhdimisht, duke e thelluar keqësimin e kushteve të jetesës- tregon motra Elvira, zëri i së cilës arrin në Radion tonë nga Afrika e largët.







All the contents on this site are copyrighted ©.